Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk ka deklaruar përpara Parlamentit Europian se i gjithë progresi i bisedimeve mes palëve për BREXIT, është tashmë në dorë të Londrës.
Tusk ka bërë thirrje që Bashkimi Europian të ruajë unitetin përballë Brexit dhe u shpreh se largimi i Britanisë nga unioni është një test madhor që nuk duhet të shkaktojë përçarje mes vendeve anëtare.
“Bashkimi Europian do të “mposhtet” në negociatat për Brexit, në rast se nuk ruan unitetin absolut. Nëse dështojmë, atëherë negociatat do të përfundojnë me humbjen tone. Është në dorë të Londrës se si do të përfundojë: me një marrëveshje të mirë, pa marrëveshje, apo pa Brexit. Por në secilin prej këtyre skenarëve, ne do të mbrojmë interesin tonë të përbashkët vetëm duke qenë të bashkuar.”
Mbretëria e Bashkuar është përcaktuar të largohet nga BE në fund të marsit të ardhshëm dhe deri më tani në procesin e negociatave, të dy palët janë përpjekur të shmangin retorikën e fitores dhe humbjes.
Në vazhdën e samitit të organizuar në Bruksel javën e kaluar, lidhur me progresin e Brexit, Tusk u shpreh se ai këmbëngul që të ruhet bashkimi i 27 vendeve të tjera anëtare.
Ndërkohë qeveria britanike kërkon një marrëveshje në parim për një periudhë tranzicioni post-Brexit sa më shpejt të jetë e mundur për të mbështetur rrethin e biznesit.
Ministri i Financave, Philip Hammond sugjeroi që bazat e një marrëveshje për tranzicionin mund të arriheshin para negociatave për BREXIT.