U vra nga italiani, gruaja dhe vajza e Ilirian Minajt rrëzojnë pretendimet e autorit: Stefani hyri për të marrë thikën

Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me vrasjen e 61-vjeçarit Iliran Minaj në Itali.

Gruaja dhe vajza e tij kanë dhënë detaje që e bëjnë edhe më tronditëse ngjarjen e që rëndojnë më tej pozicionin e vrasësit italian.

41-vjeçari Riçardo Stefani pretendon se e vrau shqiptarin në vetëmbrojtje, pasi ishte 61-vjeçari ai që e sulmoi i pari.

Sipas asaj që thotë italiani, ai u fut në shtëpi për t’u mbrojtur, teksa Minaj godiste me forcë derën, aq sa e çau në mes, ai mori thikën. Nuk e hapi derën, por e goditi përtej saj.

Vajza dhe bashkëshortja e shqiptarit e hedhin poshtë këtë version.

 “Nëna e Stefanit kishte mbyllur derën e shtëpisë duke e lënë jashtë të birin. Dera nuk u thye nga im atë, por nga Stefani që hyri me forcë për të marrë thikën”, deklaroi e bija e viktimës, G.Minaj.

Sipas vrasësit, shkak për ngjarjen u bënë shakatë e mëparshme që kishin pasur mes njëri-tjetrin. Por edhe ky pretendim mohohet nga familja e shqiptarit.

“Nuk ka pasur asnjëherë shaka. Dhe atë natë, nga ana e Stefanit nuk pati asnjë lloj vetëmbrojtjeje të ligjshme”, shtojnë ato.

Ngjarja e rëndë ndodhi në Bibbiano të Reggio Emilia mbrëmjen e së premtes në pallatin ku jetonte autori dhe mbesa e Minajt. 61-vjeçari i cili jetonte prej 20 vitesh në Itali, kishte shkuar pikërisht për të takuar mbesën e tij, kur nëpër shkallë u rastis me Stefanin.

Rrethanat e ngjarjes mbeten ende për t’u sqaruar, ndërkohë që pritet të bëhen publike edhe rezultatet e autopsisë mbi trupin e shqiptarit.

Riçardo Stefani ishte konsumues i drogës e alkoolit dhe kishte shfaqur probleme të shëndetit mendor. Ai po ashtu ishte denoncuar më shumë se njëherë për dhunë nga e ëma.

Leave a Reply