Kërkohet anulimi i deklaratave për trafik organesh
“The Washington Post” i ka kushtuar vëmendje kërkesës së Parlamentit Shqiptar ndaj Këshillit të Europës që të ndryshojë një rezolutë të vitit 2011 në të cilën thuhet se në Shqipëri është bërë trafik organesh gjate luftës së vitit 1999 në Kosovë.
Inicimi i kërkesës për anulimin e kësaj rezolute që pretendon se gjatë luftës së Kosovës janë marrë dhe trafikuar organe njerëzore nga luftëtarë të UÇK-së u bë nga Partia Socialiste.
Gazeta amerikane nënvizon se mocioni që i kërkon Këshillit të Europës të pastrojë Shqipërinë dhe Kosovën nga pretendimet e trafikimit të organeve u votua me 125 vota pro dhe asnjë kundër në Parlamentin e Shqipërisë.
Rezoluta e asaj kohe bazohej në një raport të vitit 2010 nga senatori zviceran Dick Marty. Hetuesi i Këshillit të Evropës tha se UÇK-ja ishte përgjegjëse për vdekjen e qindra serbëve, romëve dhe shqiptarëve etnikë të dyshuar për bashkëpunim me serbët gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë.
Pas një hetimi 2-vjeçar e gjysmë, një Prokuror i Posaçëm i Bashkimit Evropian në vitin 2014 tha se kishte “indikacione bindëse” se deri në 10 robër u vranë për t’u marrë organet e tyre për trafik të paligjshëm dhe shitje në tregun e zi gjatë luftës.
Megjithatë, prokurori tha se nuk kishte prova të mjaftueshme për të akuzuar dikë për krimet e supozuara. “The Ëashington Post” citon në shkrimin e saj se Kryeministri i vendit Edi Rama e ka cilësuar raportin e vitit 2010 nga Marty si monstruoz.