E djathta nacionaliste triumfon në zgjedhjet e së dielës në Itali
“Vëllezërit e Italisë“ bëhen të parët nacionalistë që fitojnë zgjedhjet në këtë vend që pas Luftës së Dytë Botërore. Partia e Xhorxha Melonit që pritet të jetë e para grua kryeministre në historinë italiane, u rendit në krye të të gjitha partive pjesëmarrëse në zgjedhjet e së dielës. Mbështetja për koalicionin e qendrës së djathtë, ku bën pjesë edhe Salvini dhe Berluskoni ishte aq e madhe sa ata pritet ta formojnë të vetëm qeverinë e re, si rrallë ndonjëherë në dekadat e fundit. Për Melonin, ky rezultat është krenari dhe frymëzim për të bashkuar italianët.
Girogia Meloni:Dua të falenderoj të gjithë ata që na besuan, pasi që ditën e parë të themelimit shumica mendonte se ne ishim të destinuar për të humbur. Por ajo që mësojmë nga kjo natë është bastet në dukje të pamundur, janë të mundur.
Partia e saj më shumë se 6-fishoi mbështetjen popullore krahasuar me rezultatet e 2018-ës. Dy partnerët e saj, Lega Nord e Forca Italia patën përgjysmim të mbështetjes, ashtu si Lëvizja 5 Yjet që nga vendi i parë në 2018-ën, renditet tashmë forcë e tretë. Në të njejtat kuota mbështetjeje janë demokratët në koalicionin e qendrës së majtë.
Megjithatë kriza energjetike dhe ajo financiare me të cilën po përballet vendi dhe i gjithë globi kanë krijuar përçarje brenda koalicionit, për mënyrën se si duhet menaxhuar.