Podoljak: Armëpushimi i jep mundësi Rusisë të rigjenerohet
Kievi përjashton mundësinë e armëpushimit me Moskën apo lëshimet territoriale për t’i dhënë fund luftës. Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters, Mihalio Podoljak këshilltar i presidentit Zelenski shpjegon arsyet pse në këtë fazë të sulmit intensiv, armëpushimi është në dëm të ukrainasve.
“Prej lëshimeve të tilla, nuk do të ketë fund të luftës. Do të ketë vetëm pushim të përkohshëm dhe më pas ashpërsia e sulmit do të jetë edhe më e madhe pasi do t’i japë mundësi Rusisë të rimarrë veten, të përmirësojë armatimin, të korrigjojë gabimet e të spastrojë ushtrinë nga elementët jo efektivë”, tha këshilltari.
Deklarata bëhet teksa Rusia ka ashpërsuar sulmin në rajonet e Luhanskut e Donjeckut në linjde të Ukrainës, për marrjen e kontrollit të të cilëve Moska ka angazhuar pjesën më të madhe të forcave aktive ushtarake në Ukrainë.
Negociatat e paqes për momentin janë pezulluar, që pas zbulimit të krimeve të luftës të kryer nga ushtarët rusë në Kiev. Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski tha se fundi i luftës mund të vijë vetëm me diplomaci, ndërsa kërkoi që Moska të dëmshpërblejë Ukrainën për shkatërrimet që i solli ky sulm.
Sakaq, mediat ruse shkruajnë se Rusia po shqyrton mundësinë e shkëmbimit të luftëtarëve të divizionit Azov me politikanin pro-rus Viktor Medvedçuk.