Aleatët perëndimorë konfirmojnë mbështetjen për Kievin
Konferenca e Sigurisë e Mynihut i hapi punimet këtë vit me fjalimin e presidentit të Ukrainës Volodymir Zelensky, i cili u kërkoi aleatëve perëndimorë që të shpejtojnë për dërgimin e ndihmës ushtarake, duke paralajmëruar se vonesat do të favorizojnë Rusisë.
“Duhet të nxitojmë. Gjithçka varet nga shpejtësia e marrëveshjeve tona për të kufizuar potencialin rus. Nuk ka alternativë përveç shpejtësisë, prej saj varet jeta”, tha Zelensky.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, i cili ka qenë një nga mbështetësit kryesorë të Ukrainës, ripohoi premtimet për të ndihmuar, por gjithashtu këmbënguli se aleatët e Kievit nuk duhet të nxitojnë.
“Ne do të vazhdojmë të ruajmë ekuilibrin midis ofrimit të mbështetjes më të mirë të mundshme për Ukrainën dhe shmangies së një përshkallëzimi të padëshiruar”, tha Scholz.
Presidenti francez Emmanuel Macron miratoi apelin e Zelensky dhe u kërkoi partnerëve perëndimor të intensifikojë mbështetjen për Ukrainën.
“Ne duhet të jemi kolektivisht të besueshëm, sepse kjo është mënyra e vetme për ta bërë Rusinë të kthehet në tryezën e bisedimeve”, tha Macron.
Për herë të parë në dy dekada, organizatorët e konferencës nuk ftuan zyrtarë rusë në Mynih.