Kievi tha se për herë të parë ka “potencial thelbësor” që forcat e saj të avancojnë në fushëbetejë.
Vulehirska, që gjendet rreth 50 kilometra në verilindje të Donjeckut, është termocentrali i dytë më i madh i Ukrainës dhe një objektiv strategjik i infrastrukturës që forcat ruse synojnë ta marrin.
Në buletinin ditor, Ministria e Mbrojtjes e Britanisë citoi guvernatorin e rajonit ukrainas të Mikolajivit, Vitaly Kim, duke thënë se forcat ruse kanë përdorur shtatë raketa për të sulmuar infrastrukturën, objektet e energjisë dhe depot në këtë zonë.
Inteligjenca britanike theksoi se Rusia ka rritur përdorimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore për të sulmuar caqe në terren, gjë që, sipas inteligjencës britanike, dëshmon për mungesë kritike të raketave për sulme tokësore.
Britania tha se Rusia, me shumë gjasë, ka vendosur sistemet strategjike të mbrojtjes ajrore të llojeve S-300 dhe S-400, për t’i rrëzuar avionët dhe raketat në distanca të largëta. Këto sisteme, sipas inteligjencës britanike, janë vendosur pranë kufijve të Ukrainës që prej nisjes së pushtimit.
Ushtria ukrainase tha më 22 korrik se përpjekjet kryesore të ushtrisë ruse në rajonin lindor të Donjeckut janë përqendruar në Kramatorsk dhe Bahmut.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë adresimit në natën e 21 korrikut, tha se është takuar me komandën ushtarake ukrainase. Ai tha se është krijuar një “potencial thelbësor në avancimin e forcave tona[ukrainase] në front dhe për t’u shkaktuar humbje të reja pushtuesve. Ai theksoi nevojën që Kievi t’i shtojë sulmet kundër forcave ruse.
Presidenti ukrainas bëri të ditur se disa anëtarë të Senatit amerikan kanë propozuar një rezolutë për ta njohur agresionin e Rusisë kundër Ukrainës si gjenocid.
Zelensky tha se ky ishte rezultati i parë i vizitës së gruas së tij, Olena Zelenska, gjatë kësaj jave në Uashington.
Shtatë senatorë amerikanë nga dy partitë amerikane kanë propozuar një rezolutë më 20 korrik, pak pasi Zelenska foli me anëtarët e Kongresit për luftën, duke theksuar vuajtjet e civilëve ukrainas.
Rezoluta njeh veprimet e Rusisë, përfshirë dëbimet me forcë për në Rusi dhe vrasjen e civilëve ukrainas në mizori masive, si gjenocid kundër popullit të Ukrainës.
Rezoluta i bën thirrje SHBA-së, dhe aleatëve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, që të mbështesin Qeverinë ukrainase në parandalimin e akteve të mëtejme të gjenocidit rus kundër popullit ukrainas dhe të mbështesin tribunat dhe hetimet ndërkombëtare penale, në mënyrë që liderët politikë rusë dhe personeli ushtarakë të mbahen përgjegjës.
Ndërkaq, ushtria ruse ka vazhduar bombardimet në zonat e banuara me civilë, përfshirë rajonin e Harkivit, duke vrarë të paktën dy persona dhe plagosur 19 të tjerë. Rusia vazhdimisht mohon se sulmon civilë.
Më 21 korrik u raportua për sulme ruse në Nikopol, qytet në jug të Zaporizhjas, ku u vranë dy civilë. Ndërkaq, kreu i qytetit jugor të Mikolajivit tha se ky qytet është granatuar dhe është plagosur një person. Ai shtoi se 13 ndërtesa banimi në qendër të qytetit janë dëmtuar nga granatimet.