Nga Armand Kullau/
Dëmet e shkaktuara prej COVID-19 kanë nxjerrë në pah dobësitë e Europës si dhe dobësitë që vendi ynë ka duke parë vështirësitë që po kalon sistemi shëndetësor dhe ai ekonomik. Megjithatë mbas shumë përpjekjesh Europa arriti të sigurojë dozat e para të vaksinës Pfizer dhe AstraZeneca. Duke dëshmuar progresin që po bënte Europa për sigurimin e vaksinave për COVID-19, qeveria shqiptare bëri përpjekjet e para për vaksinat dhe mbas shumë bisedimesh arriti të merrte dozat e para të vaksinës Pfizer dhe AstraZeneca. Por problemi se pse nuk kishim vaksina u zhduk dhe bashkë më të filloi dhe problemi pse të vaksinohemi me vaksina ruse dhe kineze, biles pati dhe diskutime për AstraZeneca-n.
Situatat si kjo e sotmja na tregojnë një perspektive të re e cila është e vjetër për historinë e botës dhe kjo është historia e luftës botërore si shprehje e dëshirës për dominim por duke dëshmuar brutalitetin dhe pasojat negative afatgjate që ka lufta me armatime dhe bombardime si rrjedhojë cdo gjë u spostua tek lufta ekonomike.
Lufta ekonomike sjell varfëri, varfëria sjell pakënaqësi, kaos dhe mosbesim tek qeveritë si edhe tek elitat qeverisëse duke krijuar ekuilibra të rinj që u interesojnë vendeve që duan supremacinë dhe nën lupën e kujdesshme që ne vendosim arrijmë të kuptojmë që ceshtja e vaksinimit është cështje tregtie. Ku bazohemi për këtë?
Vaksina ruse Sputnik V është shpërndarë në Hungari dhe Sllovaki, në Amerikën Latine dhe porosi janë bërë nga vende të ndryshme, biles nga vende të Bashkimit Europian si Italia. Kina nga ana e vet ka rifilluar procesin e dhënies së vizave vetëm për të huajt të cilët janë vaksinuar me vaksina kineze. Vaksina AstraZeneca pezullohet përkohësisht nga disa vende europiane por merr sërish konfirmimin nga këto vende europiane ku disa prej tyre kanë vendosur një tavan për moshat që do të marrin këto vaksina. Problemi nuk është vaksina që do merret por pasojat që ajo do të sjellë në marrëdhëniet ekonomike dhe diplomatike midis vendeve pasi dështimi apo suksesi i marrëdhënieve varet nga ndihma e ofruar në momente vështirësie duke mos harruar qendrimet e Italisë mbas braktisjes për një moment nga BE-ja.Në fakt, Bashkimi Europian u godit më shumë nga të gjithë nga kjo pandemi duke ofruar terren për ndikimin rus dhe atë kinez të cilin Europa e ka luftuar me mjetet e veta diplomatike.
Shqetësimi ynë si komb duhet të vijë nga fakti se kur do të vaksinohemi dhe media nga ana e vet nuk duhet të ngopet me informacionet e ardhura nga kanale të caktuara por me profesionalizëm dhe vullnet duhet të informojë publikun me kujdesin maksimal në lidhje me këto cështje pasi ka ndjeshmëri të lartë duke mos rënë pre e keqinformimit edhe ajo vetë. Zgjedhjet tona janë shumë të qarta, ne duhet të zgjedhim midis vaksinimit për të marrë frytet e lirshmërise sociale ose sfidës së rrezikshme të të përballuarit të Covid 19 në një situatë ku spitalet jo vetëm në vendin tonë por në shumicën e vendeve në Europë nuk kanë infrastrukturën për të përballuar fluksin e pandemisë.Shëndeti nuk negociohet, shëndeti nuk ruhet dhe ushqehet me ankth prandaj dhe zgjedhja është shumë e qartë.
Le të shpresojmë që vaksinat të arrijnë në kohë dhe të shpëtojnë sa më shumë jetë pasi në situatën që është vendi ynë me shëndetësinë e vendosur përballë mungesave të bluzave të bardha dhe ekonomisë së goditur nga kriza globale, sot rëndësi ka transparenca për këtë proces dhe jo lajthitjet për t”u mos vaksinuar pasi kaosi është ushqimi i atyre që janë mësuar të ushqehen me frikën e popullit.