Temperaturat tejet te larta që kanë përfshirë rajonin e Mesdheut po vazhdojnë të shkaktojnë zjarre të fuqishme.
Gjatë ditëve të fundit si pasojë e kushteve ekstreme të motit, me dhjetëra njerëz kanë vdekur në Algjeri, Greqi, Itali dhe Turqi. Korrespondenti i “Zërit të Amerikës” Henry Ridgwell njofton.
Në mbrëmje, kodrat në pjesën juglindore të Siçilisë ndriçojnë nga flakët, një spektakël i frikshëm për banorët e këtyre fshatrave të lashtë malorë.
Vala e të nxehtit e quajtur “djalli” për shkak të temperatura rekord të larta ka shkaktuar vatra të fuqishme zjarri në të gjithë Mesdheun.
Një stacion i shërbimit moteorologjik në Siçilinë juglindore regjistroi të mërkurën atë që konsiderohet si temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në Evropë, 48.8 gradë Celsius.
Pyjeve dhe fushave, që po përcëllohen nën diell, u duhet fare pak për të marrë flakë, një cigare e hedhur apo qoftë edhe një copë qelqi që zmadhon rrezet e diellit.
“Po përjetojmë momente vërtet të trishta, pasi toka jonë ka pësuar humbje shumë domëthënëse. Do të duhet shumë kohë para se të kthehet madhështia që ajo kishte dikur”, thotë Giovanna Licitra, Banore e Giarratana-s.
Në ishullin grek Evia, ajri është i mbushur me tym të dendur. Ai shpohet herë pas here nga avionë që hedhin ujë. Në ishull kanë mbërritur për të ndihmuar ekipe zjarrfikësish nga e gjithë Evropa, por edhe më larg, nga Rusia dhe Egjipti. Por për shumë banorë, është tepër vonë.
“Sot po shohim shumë avionë që hedhin ujë, por ata duhet të ishin këtu që nga dita e parë. Dëmi tashmë është shumë i madh, për fat të keq”, thotë Dimitris, banor i Evias.
Temperaturat e larta kanë nxitur zjarre të fuqishëm edhe në Algjeri duke shkaktuar vdekjen e të paktën 65 personave. Agjencitë e ndihmës thonë se mbi 600 familje kanë mbetur të pastreha.
“Ky është vetëm fillimi për sa i takon viktimave pasojë e të nxehtit dhe lagështisë, një situatë që mund t’ia atribuojmë drejtpërdrejt ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit. Duhet të jemi në gatishmëri, kjo është gjithçka që mund të bëjmë. Kur temperaturat arrijnë në 45 gradë Celsius apo më lart, e vetmja mënyrë për ta përballuar atë është të qëndrosh brenda në fresk. Por shumica e njerëzve nuk e kanë këtë mundësi”, thotë Ilan Kelman, Eksperti mbi rastet e Fatkeqësive Natyrore në Kolegjin Universitar në Londër.
Përveç rrezikut që i kanoset jetës, moti ekstrem ndërpret perditshërinë dhe dëmton ekonominë.
“Kur bën shumë nxehtë, nuk shohim njerëz që punojnë arat. Nuk do të kemi njerëz që korrin apo vjelin ato që kanë mbjellë, e t’i dërgojnë ato për t’u përpunuar në mënyrë që të mbushen raftet e supermarketeve. Nuk mund të ndërtohet gjithashtu, sepse është thjesht shumë nxehtë për të dalë”, thotë zoti Kelman.
Vala e të nxehtit tashmë po perparon drejt perëndimit të Evropës, ne Spanjë. Punonjësit social po trajtojnë banorët më në rrezik.
Ndërkohë në Turqi, gjatë këtyre ditëve shirat e furishëm kanë shkaktuar përmbytje katastrofike, duke i bërë jehonë skenave të muajit të kaluar që u shfaqën në Gjermani e Belgjikë.
Shkencëtarët thonë se situata është dëshmi e urgjencës për të luftuar ndryshimet klimatike. Por në planin afatshkurtër, ata paralajmërojnë se kushtet e motit ekstrem do të jenë diçka e gjithnjë e më e zakonshme ndaj i bëjnë thirrje njerëzve të përshtaten sa më mirë që munden./VOA/