Qyteti industrial i Sievierodonetskut u përfshi të hënën nga luftime të ashpra mes forcave ukrainase dhe atyre ruse, në një betejë të rëndësishme për të fituar epërsi në Ukrainën lindore.
Qyteti është shndërruar në objektivin kryesor të ofensivës ruse në rajonin e Donbasit, që përbëhet nga provincat Luhansk dhe Donetsk. Të dielën Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy vizitoi dy qytete në këtë rajon, në një përpjekje për të mobilizuar trupat ushtarake.
Pas përparimesh në ditët e fundit, trupat ukrainase që luftojnë në qytetin e Sievierodonetskut kanë humbur terren ndaj forcave ruse. Guvernatori i provincës së Luhanskut Serhiy Haidai, që përfshin edhe qytetin e Sievierodonetskut, tha sot se ukrainasit kishin arritur që me anë të një kundërsulmi të çlironin gjysmën e qytetit, por tashmë gjendja është përkeqësuar. Ai e cilësoi situatën në terren si “mjaft dinamike”.
Në një përpjekje për të mobilizuar trupat Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, vizitoi të dielën dy qytete në juglindje të vendit të cilat janë pjesërisht nën kontrollin rus, qytetin e Lysychanskut dhe atë të Solederinit. Zoti Zelenskyy u njoh nga afër me situatën në terren dhe u dha medalje trupave, duke i falenderuar ata për kontributin e tyre.
“Dua të falënderoj prindërit, bashkëshortet e fëmijët tuaj. Të uroj atë çka të gjithë e meritojmë, fitore. Kjo është më e rëndësishmja, por jo me çdo kusht. Kujdesuni për veten, kjo është shumë, shumë e rëndësishme, sepse pa njerëz si ju nuk do të kemi një tokë tonën. Lavdi juve, Ukrainës dhe heronjve (tanë)”.
Kjo është vizita e dytë publike që presidenti Zelenskyy zhvillon jashtë zonës së Kievit që nga fillimi i luftës. Autoritetet ukrainase thanë sot se trupat e Rusisë kanë vazhduar bombardimet intensive edhe në qytetin e Lysychanskut shumë pranë Sievierodonetskut. Guvernatori i Luhanskut Serhiy Haidai, tha se rusët kanë sasi të mëdha pajisjesh e personeli, e kanë arritur të sigurojnë shumë rezerva. Ai shtoi se gjatë 24 orëve të fundit trupa ruse kishin bombarduar një qendër humanitare në Lysychansk e shkatërruar një furrë buke.
“Barbarët rusë kanë bombarduar sërish qendrën e Lysychanskut. Ndërtesa e banimit dhe infrastruktura janë shkatërruar. Ne po dokumentojmë veprimet e tyre kriminale. Po punojmë për këtë”, thotë një punonjës i policisë së Ukrainës, i cili nuk u identifikua me emër.
Të dielën Rusia sulmoi me raketa Kievin për herë të parë në më shumë se një muaj. Ukraina tha se raketat goditën një zonë ku po kryheshin punime për riparimin e një hekurudhe, ndërsa Moska tha se kishte shkatërruar tanket e dërguara nga vendet e Evropës Lindore në Ukrainë. Sulmi ndodhi ndërsa kryeqyteti i ishte kthyer jetës normale që kur forcat ruse u dëbuan nga periferitë e tij në muajin mars. Këshilltari i Presidentit të Ukrainës, Mykhailo Podolyak tha se sulmet me raketa kishin vetëm një qëllim, të vrisnin sa më shumë të jetë që të ishte e mundur./VOA