Mjeku 50 vjeçar Vlladimir Evtimovski nga Tetova nuk ka arritur ti mbijetojë komplikimeve të shkaktuara nga virusi korona. Mjeku ishte me sëmundje kronike ndërsa ka ndërruar jetë të shtunën në Klinikën e sëmundjeve infektive në Shkup. Nga e shtuna edhe deputetja e PLD-së, Monika Zajkova është shtruar në spitalin infektiv në fazën fillestare të pneumonisë kurse kryetari i Komunës së Demir Hisarit, Marjançe Stojanovski informoi se është në izolim shtëpiak për shkak të testit pozitiv. Numri i lartë i personave të infektuar nuk shënon rënie, pas çka ministri i shëndetësisë Venko Filipçe, u bëri thirrje qytetarëve ti japin mbështetje punonjësve shëndetësorë duke respektuar masat meqë siç tha vendi ndodhet në fazën kritike.
Situata me Covid-19 është kritike, ndërsa spitalet tashmë po i mbushin të gjitha kapacitetet. Para nesh ndodhet periudha më e vështirë e trajtimit të pandemisë. Kërkoj që të gjithë të jemi maksimalisht të përgjegjshëm dhe të vetëdijshëm për seriozitetin e situatës. Respektoni masat në mënyrë të përpiktë. Mbajtja e maskës dhe e distancës janë një sakrificë shumë e vogël krahasuar me gjithçka tjetër- deklaroi Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.
Nga VMRO-DPMNE-ja kanë reaguar pas njoftimeve se disa qytetarë po paguajnë dhe testohen në klinikat private pasi kjo nuk u ofrohet nga institucionet shëndetësore publike. Opozita mbetet në kërkesën për dorëheqjen e Filipçes.
Venko, a je i vetëdijshëm se qytetarët kanë shpenzuar mbi 8 milion euro për teste? A ka ndonjë vijë të kuqe që nuk do ta tejkaloje? Çfarë mund të bënte shëndetësia me ato fonde, sa investime janë të barabarta, e përsëris – tetë milion euro?- tha Marija Miteva – VMRO-DPMNE.
Masat për mbajtjen e detyrueshme të maskave në hapësira të hapura dhe të mbyllura janë në fuqi, puna e objekteve gastronomike është e kufizuar deri në orën 21:00, ndërsa pas kësaj ore ndalohet edhe grupimi i më shumë se katër personave në ambiente të hapura. Kryeministri Zoran Zaev bëri thirrje që të mos ketë grupime në shtëpi, ndërsa festat të kalohen vetëm me më të afërmit./Alsat