Një 29-vjeçare nga fshati Shkallnur i Durrës humbi jetën në rrethana ende të paqarta, 5 ditë pasi kishte sjellë në jetë fëmijën e saj të dytë.
Sipas policisë, Ardita Hersi ka mbërritur pa shenja jete në spitalin rajonal Durrës, ndërsa trupi i saj ndodhet në morg për t’iu nënshtruar një ekspertize mjeko-ligjore më të specializuar.
Lidhur me rastin familjarët tregojnë se e reja kishte kryer lindje cezariane në spitalin e Durrësit dhe vetëm një ditë para se të ndërronte jetë kishte dalë nga materniteti.
Ata pretendojnë se edhe pse ambulanca është njoftuar, nuk ka mbërritur në kohë, duke akuzuar bluzat e bardha për neglizhencë.
Për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e vdekjes familjarët kanë depozituar një kallëzim në Policinë e Durrësit, materialet e të cilës i kanë kaluar prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e ngjarjes.
Në dëshminë e familjarëve në polici thuhet:
“Lindi me operacion cezarian në datën 30 qershor në Spitalin e Durrësit, pas katër ditësh ka dale nga spitali. Dje pasi ishte takuar me motrën e saj, pasi piu ujë u këput e ra në dysheme.
Ambulanca mbërriti vonë dhe pa pajisjet e duhura. Ekipi që erdhi në banesë bënë procedurën, por kërkuan që të vijë një mjek pasi ata nuk ishin të përgatitur për paciente lehonë.
Më vonë erdhi mjeku. Bombola e oksigjenit mbaroi ndërsa e reja në Urgjencë mbërriti me rrahje zemre, por mjekët na thane se truri nuk funksionon pa oksigjen. E keni sjellë vonë na thanë”.