Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, gjatë inspektimit të punimeve në bllokun e pallateve “Ferit Xhajko”, në njësinë 8, u kërkoi qytetarëve që të ruajnë investimet e bëra dhe të mbajnë sa më pastër mjedisin, ku ata dhe fëmijët e tyre rriten.
“Më vjen shumë mirë, që ne kemi mbyllur një investim në një kohë rekord, vetëm 4 javë, në një zonë shumë problematike të Tiranës. Dua t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve se, që të rregullojmë qytetin kushton, por kushton më pak nëse të gjithë ne i ruajmë investimet e bëra. Kjo është arsyeja se, përse të gjitha masat që kemi marrë kundër vandalizimit janë në favor të 99% të qytetarëve, që duan pastërti, kënde lojërash dhe lulishte. Ndaj u them të gjithë qytetarëve të njësisë 8, ata që do të jenë përfituesit e parë të këtyre investimeve, të gjithë ata banorë që kanë fëmijë e të moshuar ta gëzojnë por të na ndihmojnë që t’i ruajmë”, u shpreh Erion Veliaj.
Veliaj tha se, Bashkia e Tiranës e ka mbyllur këtë investim vetëm 4 javë nga marrja e detyrës, por qytetarët duhet të ndërgjegjësohen, që ta ruajnë pronën publike dhe jo ta dëmtojnë atë. Investimet publike të bashkisë do të shtrihen edhe në njësinë 8 dhe 9, ku pritet të realizohet edhe projekti i “Parkut Qendror” dhe ai i “Lumit të Tiranës”.
“Kemi marrë disa vendime të rëndësishme për investime që prekin njësitë 8 dhe 9. Njëri prej të cilëve është ai, për atë që sot nuk quhet më projekti i ‘Bulevardit të ri’, por quhet projekti i ‘Parkut Qendror dhe i Lumit të Tiranës’. Unë besoj se njerëzit që marrin pushtetin duhet të bëjnë ato që premtojnë, ndaj dhe kjo është ajo që premtuam. Me kompaninë britanike kemi rënë dakord, që projekti do të ulë intensitetin e punimeve dhe do të rrisë hapësirat e gjelbërta. Tashmë kemi filluar punën në zonën e lumit të Tiranës për të shtuar parkun në të, e shumë shpejt fillon puna – pas dakordësimit me fondin e Abu Dhabit, – për t’u fokusuar te projekti i transformuar me më shumë parqe dhe hapësira të gjelbërta, me një park qendror 6-fish i Parkut ‘Rinia’ dhe me më pak ndërtime në këto zona”, deklaroi më tej Veliaj.
Kreu i bashkisë nuk ka harruar t’i rikujtojë qytetarët për aksionin e madh, që do të mbahet më 4 shtator, për pastrimin e Tiranës.