Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka prezantuar këtë të mërkurë rikthimin e projektit për lyerjen e fasadave të pallateve.
Sipas Veliajt, projekti për riparimin e fasadave ekzistuese do të shtrihet në të gjitha lagjet e qytetit, ndërsa më pas do të ftohen artistë lokalë për të propozuar ngjyrat dhe modelet që do të aplikohen mbi sipërfaqet e godinave.
“I rikthehemi projektit të fasadave, për të rifreskuar ato ekzistuese, për t’u siguruar që qyteti ka ngjyrat për të cilat u bë i njohur në vitet 2000. Duam pastaj ta çojmë projektin në një fazë të dytë, ku do të ftohen artistë lokalë, që do të konkurrojnë për projektet e bashkisë dhe do të propozojnë ata fasadat e reja. Gjithashtu do punojmë për t’u siguruar që projekti të shkojë nga rrugët kryesore në çdo lagje të Tiranës dhe të kemi një unifikim të mënyrës se si funksionojnë sipërmarrjet në katet e para, për të treguar imazhin e një qyteti të rregullt”, deklaroi Veliaj.