Vendet e G20-ës diskutojnë përgjigjen globale ndaj pandemisë

Grupi përbëhet nga 20 vendet më të fuqishme ekonomike të botës.

Takimi një ditor në qytetin jugor Matera do të përfshijë debatet se si të përmirësohet bashkëpunimi për një sërë çështjesh, përfshirë shëndetin global, ndryshimet e klimës dhe tregtinë ndërkombëtare.

Ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio, tha se “pandemia ka nxjerrë në pah nevojën për një përgjigje ndërkombëtare ndaj emergjencave që kapërcejnë kufijtë kombëtarë”.
Italia, e cila mban presidencën e rradhës së G20-ës, ka thënë që vëmendje e veçantë do t’i kushtohet zhvillimit të qëndrueshëm në Afrikë.

Vendet anëtare të G20-ës përbëjnë më shumë se 80% të prodhimit të brendshëm bruto botëror, 75% të tregtisë globale dhe 60% të popullsisë së planetit.

Në takimin në Matera marrin pjesë edhe diplomatët kryesorë të Shteteve të Bashkuara, Japonisë, Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Indisë.

Ministrat e jashtëm të Kinës, Brazilit dhe Australisë vendosën të ndiqnin diskutimet përmes video-lidhjes ndërsa Rusia dhe Koreja e Jugut dërguan zëvendësministra.
Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, tha se ai do të shpreh pakënaqësinë e tij për mënyrën se si Kina dhe Rusia kishin përdorur vaksinat kundër koronavirusit për të rritur ndikimin e tyrë në disa vende të caktuara.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken, përsëriti rëndësinë e furnizimit me vaksina të vendeve të varfëra.

Ai tha se kriza shëndetësore kishte përkeqësuar pabarazinë ekonomike në të gjithë botën, dhe G20 do të vazhdojë të ndihmojë vendet me të ardhura të ulëta.

Leave a Reply