Pohimet i bëri lideri i opozitës, Juan Guaido, njeriu që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa vende të tjera të botës, përfshirë Shqipërinë, e njohin tashmë si Presidentin e përkohshëm të vendit.
Në një intervistë të dhënë për një media vendase, Guaido tha se po kontakton me të gjithë sektorët, përfshirë ushtrinë, me qëllimin që t’i jepet fund krizës.
Amerika sakaq ka vendosur t’i bllokojë Maduros burimet e të ardhurave. Ky i fundit i ndërpreu marrëdhëniet me Uashingtonin e deri më tani është mbështetur nga ushtria në përpjekjet e tij për të mbajtur fort pushtetin.
Përpos Amerikës, njohjen e Guaidos e konfirmuan edhe mjaft vende latine si dhe Kanadaja e Britania e Madhe, por Rusia, Kina dhe Irani e dënuan përkrahjen që po i vjen kreut të opozitës nga jashtë; Moska e cilësoi atë një shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe një “rrugë direkte drejt gjakderdhjes”. Meksika dhe Turqia po ashtu mbështesin Maduron.
Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo kërkoi mbajtjen e një mbledhjeje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të shtunën mbi këtë çështje, ndërsa e përshkroi qeverinë e Maduros si “moralisht të falimentuar” dhe “jodemokratike deri në themel”.
Presidenti Donald Trump ka deklaruar se në përgjigje të trazirave, të gjitha opsionet mbeten në tryezë.