Midis nesh
Jo një herë është përfolur se disa vepra relativisht të mira, për shkaqe të ndryshme, kanë ngelur pa autorin e vërtetë. Në fakt, në këto vepra jo që nuk figuron emri dhe mbiemri i autorit, por janë disa dilema, të cilat akoma, edhe sot e kësaj dite, kanë mbetur pa e marrë përgjigjen e saktë: është apo nuk është autori i vërtetë.
Gjithashtu, janë disa emra të shënuar të letërsisë shqiptare, të cilat kanë krijuar mjaft huti sa i përket veprave të botuara dhe matricës së tyre ideologjike të njohur publikisht. Po kështu janë edhe disa autorë që çuditërisht shkëlqyen vetëm me veprat e tyre të para, kurse veprat e më vonshme nuk ishin as hija e veprës së parë. Pra, edhe kjo tregon se te kjo kategori e shkrimtarëve diçka nuk ka qenë në rregull dhe se mbi veprimtarinë e tyre ka shumë mjegull.
Me rënien e sistemit komunist dhe kalimin në një etapë të re të organizimit politik, që ndryshe njihet edhe si epoka e demokracisë, si pasoja e shumë rrethanave, në shumë sfera, përfshi edhe kulturën, pati shumë abuzime me vlerat e demokracisë, duke u futur hullive të anarkisë, e cila u përshkua me injorancë, intrigë, hipokrizi, me interesa meskine dhe mbi të gjitha me një papërgjegjësi të paparë që çoi deri në tharjen e palcës së boshtit të identitetit tonë kombëtar, që është vlera më sublime e një populli.
Dhe çfarë ndodhi?
Thjesht patëm një vërshim të furishëm të botimeve të ndryshme, duke nxjerrë në sipërfaqe të llumit një numër të madh të “shkrimtarëve”. Me keqardhje duhet thënë se në orët e para të demokracisë, disa emra të letërsisë shqiptare shkuan për “vizita krijuese” midis shqiptarëve të Maqedonisë Veriore dhe ndezën “furrat e tyre poetike”, duke gatuar, për një sasi të konsiderueshme lekësh, kryesisht vepra poetike, të cilat sajoheshin më shpejtë. Tregojnë se atëbotë, në një fshat të Malësisë së Tetovës, brenda disa muajve, me vepra do të botuar do të bëhen rreth pesëmbëdhjetë “poetë”, të cilët shumë shpejtë do të harrohen dhe më nuk do t’u dëgjohet “zëri”. Diçka e ngjashme thonë se kishte ndodhu edhe në Kumanovë me rrethinë.
“Furrat” për “gatimin” e veprave (kuptohet që shiteshin me lekë), ka pasur dhe me siguri ka akoma edhe në Kosovë, por edhe në Shqipëri. Gojëkëqijtë thonë se pranë disa “shtëpi botuese” ka edhe punëtorë lapsi (jo krahu) që për një shumë të konsiderueshme shkruajnë vepra për ata që duan emrat e tyre të lakohen gjithandej, si emra shkrimtarësh dhe të bëhen me “famë”.
Për këtë dukuri flitet gjithandej, jo vetëm këtu në Tiranë, por edhe në Prishtinë e Tetovë. Por, çuditërisht, akoma askush nuk merr guxim intelektual që të propozojë një debat konstruktiv për ta ndaluar këtë dukuri që prodhon “vepra” kopile, të cilat shiten nga prindër të papërgjegjshëm dhe të pamoralshëm. Dhe dihet se çfarë ndodh kur ia shet shpirtin djallit…
/HEJZA/