Lëvizja Vetëvendosje nuk po i zë besë deklaratave të kryeministrit Avdullah Hoti se nuk do të hapë temën e Asociacionit të Komunave Serbe në dialogun me Serbinë.
Partia e Albin Kurtit konsideron se ndërrimi i shpeshtë i qëndrimeve të kreut të qeverisë e bënë të pabesueshëm atë. Derisa vlerëson se në rrethanat aktuale ku i kërkohet vendit ndryshimi i Kushtetutës për t’iu përshtatur statutit të AKS-së nuk mund të ketë një marrëveshje finale të mirë për Kosovën.
Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, në një intervistë për KosovaPress thotë se tema e themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe, duhet të jetë e mbyllur për Kosovën, teksa shprehet edhe shqetësuese për deklaratat se në vend ka pasur pajtueshmëri për implementim të tij.
“E para punës zotëri Hoti nuk është një njëri që nuk i ka ndryshuar qëndrimet e tij. Kemi parë jo nga muaji në muaj, por nga dita në ditë ndryshim të deklaratave. Çfarë thotë sot nuk e thotë nesër dhe kjo nuk është një gjë e mirë. Në anën tjetër edhe në lidhje me asociacionit ka përdor deklarata që çështja e asociacionit është temë e mbyllur, por ka thënë edhe se ne kemi marrëveshje të vitit 2013 atë të vitit 2015 dhe kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese. E që vendimi i saj e bënë të pazbatueshme marrëveshjen e vitit 2015 dhe asaj 2013. Por ai i ka përmendur të gjitha. Kështu që nga e kaluara e tij dhe këtu duhet të kemi paraysh s’mund t’i besojmë fjalëve që ai thotë… Lajçak nuk e ka hapur fare këtë çështje me Lëvizjen Vetëvendosje dhe unë besoj që ai si një diplomat e ka të qartë se për Lëvizjen Vetëvendosje sikur në vitin 2013-2015 e ashtu edhe sot është një temë e mbyllur dhe të themi të drejtën vetëm për Lëvizjen Vetëvendosje është temë e mbyllur. Ai e dinë që nuk mund të diskutohet kjo temë me ne, e aq më shumë pas vendimit të Kushtetueses të dhjetor të vitit 2015. Tashmë kjo temë nuk do të duhej në asnjë prej partive dhe institucioneve tona. Është shqetësuese deklarata që ka pasur pajtueshmëri”, thotë Nagavci.
Për mënyrën e vazhdimësisë së dialogut, e dyta e Kuvendit kërkon kujdes nga ekzekutivi, derisa i cilëson të papranueshme deklaratat e ndërmjetësuesit së BE-së, Miroslav Lajçak.
“Në këto rrethana është e qartë se nuk mund të kemi një marrëveshje të mirë për Kosovën. Vetë deklaratat e zotëri Hotit në vazhdimësi duke i ikur pyetjeve të drejtpërdrejta apo përgjigjeve që i kërkojnë deputetët me të drejtë. E tregon që këta kanë ardhur në pushtet duke tentuar të shtyjnë përpara projekte të cilat presidenti Thaçi tashmë i ka negociuar me presidentin Vuçiq… Deklarata për ndryshim të Kushtetutës në mënyrë që t’i hapet rrugë krijimit të asociacionit është e papranueshme dhe është një qasje krejtësisht e gabuar. Është një përgjegjësi edhe e institucioneve tona thjeshtë nëse lejojnë një gjë e tillë, apo diskutim të hapet. Kjo është e papranueshme dhe nuk duhet të ketë tendenca të tilla”, u shpreh Nagavci.
Nagavci për KosovaPress shprehet kritike edhe për letrën e publikuar nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa për garancitë e atëhershme të BE-së se asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.
“Prezantimi i kësaj letre në këtë kohë ngritë edhe pikëpyetje tjera. Pse ai pikërisht tani e bëri publike këtë letër kur u ri sjell edhe një herë për diskutim çështja e asociacionit. Gjëja edhe më shqetësuese është pse zotëri Mustafa e ka mbajtur të fshehur këtë letër gjatë gjithë kësaj kohe. Besoj që zonja Mogerini është drejtuar zotërit Mustafa në mënyrë institucionale, nuk i është drejtuar si person privat. Janë dy pyetje këtu. A i ka prezantuar këtë letër Gjykatës Kushtetuese, nëse jo, pse? Edhe tjetra pse e ka mbajtur të fshehur këtë letër, pasi nuk ka qenë në zyrat e kryeministrit. A do të thotë kjo se ai ka marrë arkivin e ZKM-së në shtëpi të tij? Janë shumë pikëpyetje që i adreson”, thotë ajo.
Pamundësisë për të proceduar në Kuvend mocionin e mosbesimit për të rrëzuar qeverinë Hoti, Nagavci ia adreson PDK-së.
Sipas saj, kjo e fundit është duke kalkuluar me partitë në pushtet dhe se nuk po e përkrah mocionin e mosbesimit.
“Arsyet që ne i kemi iniciuar këtë mocion mosbesimi janë të shumta. Mandej që nga fillimi kjo qeveri është krijuar në mënyrë të jashtëligjshme. Problemi qëndron se partia tjetër opozitare ndryshe i ka deklarata e ndryshe veprimet. Ndonëse janë parti opozitare dhe kanë vërejtje për qeverinë Hoti ata nuk janë të gatshëm që të dërgojnë këtë qeveri në shtëpi”, thotë ajo.
Përkundër kësaj, ajo thotë se do të angazhohen çdo ditë për ta rrëzuar qeverinë e kryeministrit Avdullah Hoti./KP/Telegrafi/