“Banesa dykatëshe pas krahëve të mi u kthye në një vendngjarje mëngjesin e 2 Janarit, pasi e zonja e shtëpisë, 41-vjeçarja, Bedrie Loka në gjendje të rënduar psikologjike i dha fund jetës duke konsumuar fostoksinë. Për ngjarjen është arrestuar bashkëshorti i saj, 45-vjeçari, Xhemal Loka, pasi hetimet e policisë zbuluan se disa ditë përpara ngjarjes konkretisht më 27 Dhjetor ai e kishte kanosur me thikë atë në sy të njërit prej fëmijëve”, raporton gazetari Merin Maçi.
Ishte 45-vjeçari që fillimisht i shtyu të gjithë të besonin se shkak për aktin e rëndë u bë bullizmi në TikTok. Por ka qenë dëshmia e 1 prej 4 fëmijëve të çiftit që ka ndihmuar hetuesit të hedhin dritë mbi ngjarjen e rëndë.
Falë deklarimeve të tij, uniformat blu krahas arrestimit gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri automatik që 45-vjeçari fshihte në banesë, si dhe celularin e tij të cilën ai e kishte fshehur tek shtëpia e të motrës.
Telefoni i Xhemal Lokës, si dhe i bashkëshortes së tij të ndjerë janë çuar për ekzaminim për të parë nëse në të ka biseda kompromentuese që mund të kenë shtyrë 41-vjeçaren drejt aktit të rëndë.
E teksa hetimet intensive të policisë së Durrësit vijojnë, vëllai i viktimës për Tv Klan akuzon bashkëshortin e së motrës për fundin tragjik.
“Bedrie Bushi është motra ime, do t’i lutem mediave shqiptare, kanaleve televizive të mos ja nxini fytyrën se e mbyti TikTok-u se atë nuk e vriste njeriu, jo ta vriste TikTok-u. Motrën ma vrau burri i saj. Do t’i lutem shtetit shqiptar që të zbardhë çështjen. Motra ime 23 vjet martesë, 23 vjet të bardha nuk i ka parë në këtë derë. Burri i vet e mori dhe derisa e çoi tek vorri, vetëm nëpër burgje”, është shprehur vëllai i Bedrie Lokes, Avdi Bushi.
45-vjeçari, Xhemal Loka kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Greqia në Shqipëri, konkretisht më 27 Dhjetor. Emri i tij nuk është i panjohur për policinë, pasi në të shkuarën ka qenë i dënuar dhe ka kryer burg për vjedhje dhe trafik narkotikësh, në Shqipëri, Zvicër e Francë.
Arrestimi i 45-vjeçarit, erdhi pas disa deklarimesh të dhëna përpara oficerëve të policisë së Durrësit.
Sipas tij, bashkëshortja 41-vjeçare kishte ndërmarrë aktin e vetëvrasjes për shkak të stresit dhe ankthit që kishte përjetuar nga bullizimi që i ishte bërë në Dhjetor 2022, përmes një adrese të krijuar me të dhënat e saj në Tik Tok.
Pretendim ky që po verifikohet nga policia, por që deri tani nuk rezulton si pistë bindëse për hetuesit, lidhur me shkaqet që shtynë nënën e 4 fëmijëve të vetëvritet duke pirë fostoksinë./TvKlan/