Shtetet e Bashkuara të Amerikës pajtohen me Bashkimin Evropian se ngjarjet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e vënë në rrezik progresin e rëndësishëm të bërë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, tha ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill.
“Tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren. Prandaj, Shtetet e Bashkuara i bashkohen BE-së duke u bërë thirrje përfaqësuesve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës që të respektojnë angazhimet e tyre nga dialogu dhe t’i kthehen detyrave të tyre në institucionet e Kosovës, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale”, tha Hill për N1.
Ai tha se SHBA i bashkohet BE-së duke u bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë, që do të thotë se procesi i ri-regjistrimit të automjeteve duhet të zgjatet menjëherë dhe të pezullohet çdo masë ndëshkuese ndaj pronarëve të targave KM deri në palët e zgjidhin çështjen e targave brenda dialogut.
“Kjo nënkupton edhe fillimin e menjëhershëm të negociatave për themelimin e bashkësisë së komunave serbe, që është obligim ligjor i detyrueshëm për Kosovën.Dështimi i vazhdueshëm i Kosovës për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës”, tha Hill.
Ai u bëri thirrje të dyja palëve që “të zgjedhin rrugën e dialogut dhe të përmbahen nga veprimet që do të çonin në dhunë dhe konfrontim”.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e BE-së për të vazhduar ndërmjetësimin e negociatave. Të dyja palët duhet të tregojnë se janë të gatshme të kërkojnë zgjidhje në mënyrë konstruktive dhe të respektojnë angazhimet e marra në dialogun e ndërmjetësuar nga BE”, tha Hill.