“Institucionet tona janë të detyruara të merren me këtë çështje”, tha Lubovci për BIRN.
Një total prej 117 personash kanë humbur jetën për shkak të minave tokësore në Kosovë dhe 450 të tjerë janë gjymtuar, tha ai.
Vetë Lubovci humbi këmbën si rezultat i shpërthimit të një mine 17 vjet më parë.
“Shteti juaj është bërë arsyeja pse ne nuk mund të vazhdojmë jetën normalisht si të gjithë të tjerët. Përveç humbjes së gjymtyrëve, s’kemi mundur as të punojmë dhe të sigurojmë mbijetesën tonë”, shkroi ai në letrën e tij për Vuçiqin.
Lufta në Kosovë përfundoi në vitin 1999, pasi NATO ndërhyri për t’i dhënë fund fushatës ushtarake të Jugosllavisë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e lënë vendin të mbushur me mina tokësore të vendosura nga forcat e Beogradit dhe municione thërrmuese të përdorua nga NATO.
Kombet e Bashkuara deklaruan në vitin 2001 se Kosova ishte e pastër nga minat, por çminuesit vazhdojnë ende të pastrojnë municione të pashpërthyera në vend.
Fondi ‘Halo’ thotë se ai shpreson që minat e mbetura dhe bombat e vogla thërrmuese të mund të pastrohen deri në vitin 2020.