Dorëheqja e Visho Ajazit nga drejtimi Shërbimit Informativ Kombëtar u cilësua si e papritur, fakt të cilin e konfirmoi edhe vetë presidenti republikës Ilir Meta.
Demokratët u shprehën se Ajazi u largua, pas disa presioneve që lidheshin me përgjimet e njerëzve të lidhur me Habilajt dhe kryeministrin Edi Rama.
Vetë ish drejtori SHISH deri më tani nuk ka dhënë asnjë koment lidhur me dorëheqjen.
Por Report TV ka mësuar se dëshira për diçka të re në karrierën e Visho Ajazit larg botës së spiunazhit, ku ai ka punuar për shumë se 20 vjet , ka nisur disa muaj më parë.
Në kushtet e anonimatit një diplomat në Bruksel i tha Report TV se Visho Ajazi disa muaj më parë ka marrë pjesë në një konkurs për një vend të ri pune pranë NATOs. I njëjti burim sqaroi se bëhet fjalë për një vend vakant pranë NATO-s në rolin e këshilltarit.
Vendi vakant ishte shpallur në faqen online të NATOs, nga ku ka patur një numër aplikantësh të cilët u përfshinë në një konkurs. Visho Ajazi nuk ka rezultuar fitues pasi pikët maksimale janë fituar nga një ekspert i çështjeve të sigurisë, shtetas i Bashkimit Europian.
Ndërkohë që dorëheqja e Visho Ajazit nga SHISH vijon të komentohet si e papritur fakti që ai ka aplikuar disa muaj më parë për një vend të ri pune nuk e bën edhe aq të papritur largimin nga drejtimi i SHISH. Report TV ka zbuluar edhe një detaj tjetër gjatë qëndrimit të tij, në krye të SHISH.
Në një kohë kur socialistët erdhën në pushtet në 2013 kryeministri Edi Rama ka patur një presion nga brenda deputetëve të tij për ta larguar Ajazin nga detyra. Por kryeministri vijoj bashkëpunimin me ish profesorin e matematikës që kishte në dorë drejtimin e SHISH pas propozimit nga ish kryeministri Sali Berisha.
Muajt e fundit në detyrë të ish ambasadorit Amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu, në zyrën e Ramës në prani edhe të Spartak Brahos atëherë kreu komisionit parlamentar të sigurisë kombëtare, dekoroi Visho Ajazin. Mësohet se dekorimi lidhet për një operacion të përbashkët të SHISH me CIA-n amerikane për kapjen një personi në Malin e Zi i kërkuar për terrorizëm.