OBT: Do të zgjeronte tregun me vizitorë nga SHBA dhe Kina
Në Forumin Ndërkombëtar të Turizmit në Tiranë, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit ka propozuar aplikimin e një vize të përbashkët në vendet e Ballkanit Perëndimor për turistët që vijnë nga tregjet e mëdha si Kina apo SHBA.
Zurab Pololikashvili, Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit: Të gjithë së bashku duhet të krijojmë një destinacion turistik me emrin ‘vizitoni Ballkanin’, kërkohet ndërhyrje e nivelit të lartë në mënyrë që turistët që vijnë të kenë mundësi të vizitojnë të gjitha vendet e rajonit.
Për ministren Mirela Kumbaro ky propozim i hap rrugë promovimit të mëtejshëm të Shqipërisë.
“Ne nuk e shohim njëri-tjetrin si konkurrent, por e shohim si plotësues të një tregu që ta mbajmë më gjatë turistin që vjen nga destinacionet e largëta në Ballkan, por edhe të shpenzojnë më shumë”, tha Kumbaro.
E pranishme në forum, zv/kryeministrja Belinda Balluku fokusin e çoi tek interesi në rritje i investitorëve të huaj në Shqipëri.
“Ata duhet të vijnë në Shqipëri sepse kjo qeveri ka punuar vërtetë shumë për të plotësuar kërkesat e tyre, një ndër to ka qenë transparenca”, tha Balluku.
Si një nga aktivitetet më të mëdha kushtuar turizmit i mbajtur në rajon, kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, shprehu krenarinë për organizimin e tij në Tiranë.
“Është një energji pozitive e jashtëzakonshme në Tiranë. Mezi pres që nga ky organizim, të kemi një eksperiencë se si mund të ndajmë së bashku paketën turistike, si mund të vizitojmë njeri-tjetrin më shumë”, tha Veliaj.
Pjesë e forumit janë 300 pjesëmarrës nga 38 vende të botës. Gjatë diskutimeve fokus të veçantë për ministrat e Turizmit të rajonit pati mungesa e fuqisë punëtore dhe angazhimet që duhen ndërmarrë në nxitjen e të rinjve për t’u bërë pjesë e sektorit të turizmit.