Shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha të martën se vaksinat e koronavirusit nga Rusia dhe Kina mund të aprovohen për përdorim në bllok nëse ato “tregojnë të gjitha të dhënat”, raporton AFP.
“Nëse prodhuesit rusë dhe kinezë hapin librat e tyre, tregojnë transparencë me të gjitha të dhënat, atëherë mund të marrin autorizim si të tjerat”, ka shtuar Von der Leyen duke iu drejtuar ligjvënësve evropianë në një takim.
Bashkimi Europian do të sigurojë rreth 400 milionë doza të vaksinës anti Covid deri në fund të qershorit, tha Ursula Von der Leyen.
Kjo do të thotë se nëse nuk merren vaksina të tjera, do të ketë doza të mjaftueshme për të vaksinuar më pak se gjysmën e popullatës në BE. Vaksinat e aprovuara deri tani nga Bashkimi Europian kërkojnë dy doza për mbrojtje të plotë.
Presidentja i Komisionit Evropian, u tha eurodeputetëve se do të kishte rreth 100 milion doza në dispozicion në tremujorin e parë të këtij viti, më pas 300 milion në tre muajt në vijim.