Presidentja e Komisionit Europian ka deklaruar se Putin po manipulon tregjet duke shkaktuar çmime të larta
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka deklaruar se kostoja në rritje e energjisë është çmimi që Putin dëshiron që evropianët të paguajnë për kundërshtimin e luftës së Rusisë në Ukrainë.
“Putini po manipulon fuqishëm tregjet e energjisë. Është për shkak të Putinit dhe luftës së tij që çmimet e energjisë janë të larta, çmimet e gazit. Ky është çmimi që ai dëshiron që ne të paguajmë. Por gjithashtu deri në fund të vitit, ne do ta zvogëlojmë naftën ruse në 10% të asaj që kishim fillimisht. Pra, këto ishin përpjekje të mëdha të bëra me sukses duke u larguar nga karburantet fosile ruse dhe duke shkuar drejt furnizuesve të besueshëm dhe investimi në energjitë e rinovueshme që na japin pavarësi”, ka thënë Von der Leyen.
Në një konferencë shtypi nga kryeqyteti i Estonisë Talini Von der Leyen tha se paketa e tetë e sanksioneve kundër Rusisë po shkatërron ekonomikisht Moskën.
“Sanksionet janë me të vërtetë thumbuese. Ne shohim se ekonomia ruse po zbehet. Ndalimet tona të eksportit kanë një ndikim shumë të rëndë në ekonomi. Produktet teknologjike, që kanë një efekt në kompleksin ushtarak po japin rezultat dhe ishte kjo pikërisht ajo që ne donim. Kështu që ne sapo lëshuam dhe ramë dakord për paketën e tetë të sanksioneve disa ditë më pare prandaj, tani është e rëndësishme ta zbatojmë atë”, është shprehur ajo.
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian ranë dakord të japin më shumë ndihmë financiare dhe ushtarake për Ukrainën, por nuk arritën të vendosnin nëse ose do të kufizonin çmimet e gazit. Pesëmbëdhjetë vende të BE-së duan një kufi të çmimit të gazit , por nuk bien dakord për detajet se si duhet bërë. Gjermania, Holanda dhe Danimarka kundërshtojnë kufijtë e çmimeve, të shqetësuara se një masë e tillë do të prishte tregun dhe do ta bënte të vështirë për ta blerjen e gazit që u nevojitet.