Gjendet një DVR, dyshohet se ka materiale për ngjarjen
Policia e Prizrenit ka ushtruar kontrolle në shtëpitë e disa prej të arrestuarve për vrasjen e Visar Cengut dhe plagosjen e Rutget Shehut nga Kukësi mëngjesin e 3 Janarit.
Zëdhënësi i Policisë në rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyçi ka konfirmuar për televizionin Klan se gjatë kontrolleve të ushtruara në tre vende të ndryshme, përfshi edhe shtëpinë e autorit të dyshuar të ngjarjes, Dibran Hoxhës, janë gjetur disa materiale që mund të ndihmojnë hetimin për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të rëndë.
Sipas tij gjatë këtij operacioni jane gjetur nje DVR, një kasafortë, mjete të paligjshme, një granatë dore dhe fishekë.
Por ajo që ka më shumë interes për momentin është pikërisht DVR-ja, e cila dyshohet se mund të përmbajë materiale që mund të kenë lidhje me ngjarjen.
Kjo për arsye se pas ngjarjes autori Dibran Hoxha dyshohet se ka hequr pajisjen e DVR me qëllim të pamundësimit të shfrytëzimit të incizimeve në lokal që do të shërbenin për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes.
Me interes priten edhe rezultatet e hapjes së kasafortës të gjetur e fshehur në shtëpinë e Dibran Hoxhës, e cila u gjet e kamufluar në një furrë.
Ngjarja e rëndë ndodhi në një lokal në rrugën magjistrale Prizren – Zhur dhe shkak u bë një mosmarrëveshjeje për pagimit e faturës në lokal.
Pas sherrit dhe rrëmujës të krijuar në lokal, tre të rinjtë nga Kukësi kanë dalë nga lokali dhe pasi kanë hipur në një makinë me targa angleze kanë tentuar të largohen, por në parkingun e lokalit janë qëlluar nga Dibran Hoxha. Për pasojë Visar Cengu i ulur në sediljen e pasme të makinës është qëlluar dhe ka humbur jetën rrugës për në Kukës, ndërsa është plagosur Rutget Shehu.