Hydajet Mehmedaj, 34 vjeç, banues në fshatin Mushan të Shkodrës është vënë në pranga mëngjesin e sotëm. Policia e Shkodrës njofton se Mehmedaj ka qenë në kërkim për vrasjen e Ritvan Ramazanit, që njihej dhe me mbiemrin Hyseni.
Në një njoftim për mediat autoritetet njoftojnë se 34-vjeçari është vënë në pranga teksa ka qenë në një kafe në fshatin Mushan.
Policia shton se i arrestuari bashkë me vëllain e tij Duel Mehmedaj, i shpallur në kërkim, dhe Milkjor Gjokën, i arrestuar ditën e ngjarjes, kanë vrarë me armë zjarri shtetasin Ramazan Hysenin.
Ritvan Ramazani (Hyseni), i njohur ndryshe edhe si i forti i Shkodrës mbeti i vrarë, mesditën e së shtunës së 28 Nëntorit të vitit të shkuar, pranë një karburanti në një rrugë dytësore në Dajç.
Policia bëri të ditur ditën e vrasje se krimi ka ndodhur për motive të dobëta. Sipas saj, autorët ishin konfliktuar gjatë paradites me djalin e Ramazanit. Më pas ky i fundit ndërhyri për të sqaruar situatën, por mbeti i vrarë me armë zjarri.