Vrasja e vëllezërve Haxhia në Durrës, arrestohen dy persona të tjerë

Dy persona, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia janë arrestuar nga policia. Klan News ka mësuar nga burime se në pranga kanë rënë Besian Xhixha dhe Enver Diva.

Dyshohet se këta persona kanë këqyrur territorin dhe kanë monitoruar lëvizjen e viktimave. SPAK i ka pasur nën vëzhgim dhe kjo është arsyeja që dosja nuk është mbyllur akoma.

Brenda pak ditëve, SPAK do të dorëzojë dosjen në gjykatë. Ngjarjet janë zbardhur nga bashkëpunëtori i drejtësisë 22-vjeçari Klevis Alla.

Talo Çela

Vëllezërit Haxhiu u vranë më 29 Prill të vitit të kaluar në Durrës. Për vrasjen e tyre kanë rënë në pranga Altin Ndoci dhe Klevis Alla ndërsa është shpallur në kërkim Talo Çela dhe Nuredin Dumani. Ky i fundit dyshohet se është pikërisht personi që i kishte kontraktuar dy personat e arrestuar këtë të enjte.

Klevis Alla, i cili mban statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, ka treguar përballë hetuesve se i shumëkërkuari Talo Çela ka patur një konflikt me viktimat të cilëve u kishte lënë në ruajtje një shumë parash që nuk ia kishin kthyer. Vëllezërit Haxhia pretendonin se shuma e parave ishte grabitur në servisin e tyre, pas një vjedhje që kishte ndodhur në Janar të 2020-s.

Sa i përket Nuredin Dumanit, ai dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e vëllezërve. Prokuroria e Durrësit doli në përfundimin se vrasja ishte kryer nga një grup i strukturuar kriminal dhe për këtë e transferoi dosjen në SPAK.

Nuredin Dumani dhe Talo Çela janë të shpallur në kërkim edhe për vrasjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit, ngjarje e ndodhur më 2 Mars 2020, në të njëjtin vend ku u ekzekutuan vëllezërit Haxhia.

Po ashtu, Dumani kërkohet edhe për vrasjen e vëllait të mikut të tij Talo Çela, Bujar Çelën. Ky i fundit u ekzekutua në Shtator të 2020-s, në një lokal në Bradashesh të Elbasanit.

Policia e Durrësit jep informacion zyrtar për arrestimin e Besian Xhixhës dhe Enver Divës. Publikohen pamjet

 

Në vijim të punës hetimore të bërë nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Pronës, nën drejtimin e SPAK-ut, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të vrasjes së dyfishtë të ndodhur në vitin 2020, në tregun e makinave në Shkozet, Durrës, ku mbetën të vrarë me armë zjarri dy vëllezër, bazuar në provat e grumbulluara, mëngjesin e sotëm u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Vazhdimi”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve Besian Xhixha., 30 vjeç, banues në Larushkë, Krujë dhe Enver Diva., 42 vjeç, banues në Fushë Mamurras, Kurbin.

Për këta shtetas, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” , kryer në bashkëpunim dhe “Mashtrimi”.

Nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë krijuar dhe siguruar mjetet për kryerjen e vrasjes së shtetasve Besmir dhe Viktor Haxhia (vëllezër).

Nën drejtimin e SPAK-ut vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar.

Materialet do t’i dërgohen Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar./tvklan.al

Leave a Reply