Vittorio Boiocchi, 69 vjeç, lideri historik i ultrasve të Interit, u vra mbrëmjen e kësaj të shtunë në rrugë, në periferi të Milanos. Sipas asaj që shkruan ANSA, ai u qëllua disa herë me armë zjarri rreth orës 19:45, në lagjen Figino. Plumbat e kapën në qafë e kraharor. 69-vjeçari u transportua në gjendje të rëndë në spitalin e San Carlos, ku dhe ndërroi jetë.
Atentati ndodhi pak para fillimit të ndeshjes në shtëpi të Inter kundër Sampdorias. Pas lajmit për vrasjen e Boiocchi, Curva Nord i Interit qëndroi në heshtje, pa shfaqur pankarta dhe pa brohoritur gjatë ndeshjes kundër kundërshtarëve të tyre në San Siro. Më pas ata u larguan nga tribuna.
Sipas mediave fqinje, Boiocchi praktikisht pati një jetë mes burgut dhe stadiumit, pasionin e tij të madh.
Dënimet në kohë për 69-vjeçarin ishin të ndryshme: grabitje, trafik droge e rrëmbim. Ai kaloi mbi 26 vjet në burg. Herën e fundit u arrestua në vitin 2021, pikërisht nga autoritetet në Milano, që tanimë kanë nisur hetimet për vrasjen e tij.