Nëpërmjet një videomesazhi të publikuar në rrjete sociale, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka njoftuar se ka pasur një bisedë telefonike me homologun rus Vladimir Putin.
Ai ka përsëritur se Beogradi nuk do t’u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Moskës.
“E falënderova veçanërisht presidentin Putin që më ka siguruar se Serbia do të ketë sasi të mjaftueshme të gazit për këtë dimër. Ky ka qenë komunikimi i parë zyrtar me Putinin pas gati dy vjet e gjysmë dhe Serbia, ashtu si dy vjet e gjysmë më parë, nuk do të vendosë sanksione ndaj Federatës Ruse,” deklaroi Vuçiç.
Vuçiç po ashtu shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Rusisë ndaj vendit të tij në OKB në lidhje me rezoluta të ndryshme për integritetin territorial të Serbisë.
Komunikimi mes dy presidenteve ka ardhur në kohën kur Rusia është duke pritur përgjigje zyrtare nga Serbia për ftesën e Putinit që Vuçiç të marrë pjesë në samitin e planifikuar të BRICS i cili do te mbahet nga 22 deri n e 24 tetor, një aleancë politike anti-perëndimore që përfshin Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut.