Një grup ekomenike i përbërë nga disa teologë protestantë dhe katolikë, nga kryeqyteti i shtetit helvetik te Bernit, në krye me priftin Christian Walti, vizituan Xhaminë e Re në Tërnoc, për të mësuar se si zhvillohet jeta fetare në këtë vendbanim shqiptar të besimit islam.
Delegacionin nga Zvicra e priti Imami i Xhamisë z/reisi i Rijasetit të Bashkësisë Islame në Serbi, Nexhmedin ef. Saqipi, i cili i njoftoi të pranishmit për rolin dhe rëndësinë që jep Bashkësia Islame në Luginë të Preshevës, për ruajtjen e paqes dhe sigurisë, gjithnjë në frymën e tolerancës fetare, mirëkuptimit dhe fqinjësisë së mirë.
z/Reisi Saqipi, pasi u shprehu mirëseardhje klerikëve fetarë nga Zvicra, në krye me priftin Christian Walti, ai, i njoftoi për zhvillimet fetare në Tërnoc, një vendbanim i madh me dy shkolla dhe tri Xhami, i cili gjithmonë ka reflektuar pozitivitet sa i përket raporteve ndërfetare në nivel të Komunës së Bujanocit dhe më gjerë në rajon.
z/Reisi Saqipi, gjithashtu, potencoi se një numër i madh i tërnocasve përkohësisht punojnë dhe veprojnë në Zvicër, duke shtuar se ata lirshëm në Tërnoc, mund ta ndien veten si në Zvicër.
“Kjo kulturë e lartë njerëzore në Tërnoc është trashëguar brez pas brezi, duke dhënë shembullin e mirë si në kohë lufte edhe në kohë paqeje, ngase shqiptarët dhe serbët në Komunën e Bujanocit, janë treguar gjithmonë të kujdesshëm në kultivimin, ruajtjen dhe promovimin e vlerave të bashkëpunimit ndërfetarë dhe ndërkulturor”, u shpreh midis tjerash z/reisi i Rijasetit të Bashkësisë Islame në Serbi, Nexhmedin ef. Saqipi, njofton Jetapress.