Ministrja e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva sërish ka dërguar kritikat drejt Maqedonisë së Veriut, me pretekstin se retorika që përdoret në media nga krerët shtetëror, nuk ndihmon në zgjidhjen e problemit.
“Nuk kemi zgjidhje tjetër. Duhet ta kapërcejmë. Ne çdoherë i kemi përkrahur, madje edhe në momentet më të vështira. Do të vazhdojmë ta bëjmë atë. Nuk doja negociatat të zhvillohen aq shumë para mediave, sepse kjo e ashpërsoi retorikën, sepse atëherë është e vështirë të tërhiqesh nga fjalët e deklaruara. Unë e kuptoj se shpesh herë flasim për publikë vetanake, por nuk është në rregull që në shekullin 21 të fitohet në zgjedhje me fushatë kundër cilido shtet fqinj. Kjo nuk mund të vazhdojë kështu”, tha Zaharieva në intervistë për “24 çasa”, transmeton TV21.
Ajo ka shtuar, se me Maqedoninë e Veriut duket se ka diçka të pazgjidhur edhe pse kjo nuk është kështu vetëm vitet e fundit. Por meqë tani është bërë kaq i dukshëm dhe i diskutuar, ndoshta mund të arrihet në ndonjë zgjidhje.
Ka hedhur poshtë në mënyrë kategorike, që duke treguar fuqi ndaj Shkupit, Sofja është duke ushtruar luftë diplomatike ndaj Beogradit.