Është zbardhur dosja e trafikut të drogës Shqipëri-Itali. Sipas dosjes hetimore që gazetarja e Klan News Glidona Daci disponon, anëtarët e grupit kriminal në komunikimet e tyre të vazhdueshme kishin përdorur një gjuhë të koduar, për sasinë dhe llojin e lëndës narkotike.
Në fletoren e sekuestruar nga autoritetet italiane shkruhen dhe simbolet përkatëse që i përgjigjen një sasie apo lëndë të caktuar narkotike.
Mësohet se lënda e parë narkotike që autoritetet italiane u kanë sekuestruar këtyre personave daton në vitin 2016. Më pas banda kriminale është mbajtur nën përgjim deri në vitin 2023 kur u dhanë dhe masat e arrestit.
I pari që ka rënë në “rrjetën” e hetuesve është shtetasi Renato Zefi që hiqej si klient. Po ashtu shtetasi Emirian Beu kishte një rol të rëndësishëm në trafikimin e lëndës narkotike.
Më poshtë, lista e plotë e simboleve ose termave të përdorura në komunikimet mes anëtarëve të grupit kriminal:
-Simboli “S” tregonte lëndën narkotike marijuanë me origjinë nga Spanja.
-Për kokainën përdorej simboli “H”.
-Fjala “Tym” ose “çokollatë” përdorej për substancën narkotike të llojit hashash.
-Fjala “copë” përdorej për të treguar një gram.
-Fjala “pako” përdorej për të treguar një kilogramë.
-Fjala “lekë” përdorej për të treguar monedhën në euro.
-Fjala “mushka” përdorej për të treguar korrierin i ngarkuar me transportin e lëndës narkotike.
“Në fletoren e sekuestruar janë gjetur shënime për dorëzimin e lëndës narkotikepër periudhën 7 Mars 2016 deri më 29 Nëntor 2016. Në fletore ishte përdorur një gjuhë e koduar me fjalë dhe simbole për llojin dhe sasinë e drogës.
Renato Zefi dhe Gjergj Zefit i është dorëzuar në 2017-ën nga Alfred Luli dhe Gjergji Luli 12 kilogramë kokainë me vlerë rreth 200 mijë euro.
Po ashtu shtetasi Gjergji Luli në bashkëpunim me Saimir Prenga kanë importuar 67 kilogramë kanabis sativa në 2015-ën dhe 2018-ën. Nga përgjimet telefonike të kryera ndaj shtetasit Alfred Luli rezulton se në 2017-ën ai kishte shitur lëndë narkotike në favor të Saimir Prenga dhe Rexhep Dallupi”-thuhet në një faqe të dosjes hetimore.
Në dosjen që është depozituar në Gjykatë flitet për shuma të mëdha parash, janë thuajse 5 milionë euro të sekuestruara nga policia italiane ndër vite. Janë arrestuar dhe dyshuar për këtë çështje në total 119 persona, ku grupi i shqiptarëve kishte rol kryesor.
Nga ana e policisë janë transkriptuar vetëm disa përgjime kryesore nga dosja voluminoze. Kujtojmë se deri më tani janë ekzekutuar 15 urdhërarreste në Shqipëri nga 21 masat e dhëna. 6 persona vijojnë të jenë në kërkim. Nga ky operacion në total janë firmosur 119 urdhërarreste dhe janë ekzekutuar 62 prej tyre. /tvklan.al
Banda e drogës Itali-Shqipëri drejtohej nga 3 shqiptarë, 21 urdhërarreste në vendin tonë (Emrat)