Zyrtarë të zbulimit amerikan që po hetojnë ndërhyrjen masive kibernetike që ka ndikuar tek dhjetëra kompani dhe agjenci qeveritare, paralajmërojnë se ky akt bën pjesë në një operacion spiunazhi në vazhdim e sipër që ka të ngjarë të jetë drejtuar nga Rusia.
Konkluzioni i bërë publik të martën nga FBI-ja, Agjencia për Sigurinë Kibernetike (CISA), Zyra e Drejtorit për Zbulimin Kombëtar (ODNI) dhe Agjencia për Sigurinë Kombëtare (NSA), është e para deklaratë zyrtare nga qeveria federale që konfirmon deklaratat e zyrtarëve të lartë dhe ligjvënësve amerikanë, të cilët kanë thënë se provat qartazi të çojnë tek Moska si autore.
“Kjo punë flet për një kërcënim të avancuar dhe të vazhdueshmëm, me gjasa me origjinë ruse, i cili është përgjegjës për pjesën më të madhe ose të gjitha ndërhyrjet e zbuluara në rrjete qeveritare apo joqeveritare,” sipas deklaratës nga agjencitë e zbulimit dhe të rendit.
“Për momentin besojmë se ky akt ishte dhe vazhdon të jetë një përpjekje spiunazhi,” thuhet në deklaratë. “Po marrim të gjitha hapat e nevojshme për të kuptuar përmasat e plota të kësaj fushate dhe për t’iu përgjigjur si duhet”.
Ndërhyrja që lidhej me operacionet e firmës së menaxhimit të rrjeteve kompiuterike SolarWinds, u zbulua për herë të parë në fillim të dhjetorit kur firma private për sigurinë kibernetike, FireEye njoftoi se një prezencë e huaj ishte diktuar në sistemet e saj dhe se ishin vjedhur informata sekrete.
Në ditët në vijim, hetuesit zbuluan se ndërhyrja kishte kaluar përmes rrjeteve të kompanisë SolarWinds. Hetuesit paralajmërojnë se janë prekur rreth 18,000 klientë, përfshirë agjenci qeveritare dhe kompani nga mbarë bota.
Në fund të muajit të kaluar, kompania Microsoft tha se hakerët kishin arritur të shfrytëzonin këtë penetrim në sistem për të siguruar qasje në disa nga kodet më të mbrojtura të këtij gjigandi teknologjik që janë elementët bazë të sistemeve operuese të Microsoftit.
Megjithë numrin e madh të klientëve të kompanisë SolarWinds të prekur nga kjo ndërhyrje, zyrtarët amerikanë të zbulimit thanë të martën se “një numër shumë më i vogël ishte ndikuar nga veprime pasuese”.
“Deri tani kemi identifikuar më pak se 10 agjenci qeveritare në këtë kategori dhe po punojmë për të identifikuar entet joqeveritare që mund të jenë ndikuar,” thuhet në deklaratë.
Më parë zyrtarët amerikanë kishin thënë se ndërhyrja kibernetike kishte prekur departamentet e Mbrojtjes, Shtetit, Sigurisë Kombëtare, Energjisë, Thesarit dhe Tregtisë, si dhe agjenci shtetërore e lokale.
“Ky është një kompromentim serioz dhe për t’u ndrequr do të kërkojë një përpjekje të vazhdueshme dhe të përkushtuar,” thanë FBI, CISA, ODNI dhe NSA në deklaratën e së martës, duke shtuar se agjencitë do të vazhdojnë “të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të hetuar, ndrequr dhe ndarë informacion me partnerët tanë dhe popullin amerikan”.
Presidenti Donald Trump ka qëndruar përgjithësisht i heshtur për ndërhyrjen në sistemin operues të SolarWinds, duke komentuar muajin e kaluar në Twitter: “Çdo gjë është mirë dhe nn kontroll,” me sa duket duke mos dashur të fajësojë Moskën.
“Rusia, Rusia, Rusia është brohoritja kryesore kur ndodh gjithçka pasi, për arsye financiare, janë të tmerruar të diskutojnë se ndoshta ishte Kina,” shkruante presidenti.
Në një postim të martën vonë, Këshilli i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare tha se presidenti “vazhdon të autorizojë të gjitha burimet e nevojshme për të mbështetur një përgjigje mbarë qeveritare ndaj incidentit të fundit kibernetik që ka ndikuar tek rrjetet qeveritare”.
Senatori demokrat, Mark Warner, nënkryetar i Komisionit të Senatit për Zbulimin, e akuzoi administratën e Presidentit Trump se po tërheq këmbët zvarrë.
“Është për të ardhur keq që janë dashur më shumë se tre javë pas zbulimit të këtij incidenti me kaq pasoja që administrata të dalë më së fundi me një deklaratë për autorësinë. Ne duhet t’ia bëjmë të qartë Rusisë se çdo shfrytëzim i të dhënave nga këto rrjete të kompromentuara që do të rezultojë në pasoja të dëmshme apo shkatërrimtare është i papranueshëm dhe do të çojë në një përgjigje të fortë,” tha Senatori Warner./VOA/