Autoriteti për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit ka verifikuar 821 zyrtarë apo kandidatë për zyrtarë, për lidhjet të mundshme me strukturën famëkeqe sekrete të regjimi komunist apo edhe si subjekte që janë spiunuar nga të tjerët.
Autoriteti për hapjen e dosjeve ka konfirmuar për Shqiptarja.com se nga 795 figura të verifikuara, 13 prej tyre kanë rezultuar me materiale në emër të tyre, si informatorë të ish-Sigurimit të Shtetit apo si të spiunuar nga të tjerët.
“Kanë kaluar në filtrin e verifikimit të pastërtisë së figurës rreth 821 (tetëqind e njëzet e një) kandidatë apo zyrtarë, përpara emërimit apo ngritjes në detyrë, apo kandidatë për deputet në zgjedhjet që sapo lamë pas, në kuadër të transparencës së fushatës zgjedhore.
Mbi bazën e dokumentacionit të administruar, rezultojnë pozitiv 795 figura të verifikuara (nuk ekzistojnë dokumente të ish-sigurimit të shtetit për ta) dhe negativ 13 figura të verifikuara (figurojnë të ketë materiale në emër të tyre), nga Autoriteti, sipas nenit 29, pika 2, dhe nenit 30 të ligjit 45/2015”, ka sqaruar Autoriteti.
4 deputetë të verifikuar
Në listën e zyrtarëve që janë verifikuar për pastërtinë e figurës katër janë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. “Katër është numri i deputetëve të cilët kanë kërkuar informacion nga Autoriteti nëpërmjet paraqitjes së një kërkese individuale, lidhur me ekzistencën e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit për ta, në funksion të verifikimin të figurës së pastërtisë lidhur me vërtetimin e faktit të qenies bashkëpunëtorë apo i favorizuar nga ish-Sigurimi i Shtetit.
Nga verifikimet rezulton se për të katër rastet nuk figurojnë të ketë materiale në ngarkim të tyre, e për rrjedhoje nuk figuron që të kenë qenë bashkëpunëtorë apo i favorizuar nga ish-Sigurimi i Shtetit, sipas ligjit 45/2015, “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, ka sqaruar Autoriteti.
Shqiptarja.com ka mësuar se dy nga katër deputetët që janë verifikuar i përkasin Partisë Demokratike. Ata janë deputetët Myslim Murrizi dhe Romeo Gurakuqi. Madje, deputeti Murrizi e ka bërë publik rezultatin e verifikimit, teksa u ka kërkuar deputetëve të tjerë që të pranojnë të verifikohen. Ligji parashikon që deputeti mund të verifikohet vetëm me kërkesën e tij.
Asnjë gjyqtar apo prokuror
Asnjë gjyqtar apo prokuror nuk i ka kërkuar Autoritetit që të verifikojë të kaluarën e tij, për raportet me ish-Sigurimin e Shtetit, nëse ka qenë informator apo të tjerët kanë informuar për të. “Aktualisht nuk kemi asnjë rast të paraqitur nga gjyqtarë apo prokurorë, që të jenë drejtuar Autoritetit me kërkesë, në kuadër të vlerësimit të cilësive etike, morale dhe profesionale të tyre përpara emërimit apo ngritjes në detyrë”, sqaron autoriteti.
Megjithatë, Autoriteti ka verifikuar kandidatët për anëtarë të organeve të reja të gjyqësorit, ky katër prej tyre kanë rezultuar bashkëpunëtor të ish-Sigurimit të Shtetit. “Gjithsesi vlen për tu theksuar, se kemi kryer: procedurën e vlerësimit të cilësive etiko-morale të kandidatëve, për t’u zgjedhur si anëtarë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe gjyqtarë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Vetingu (lista me 197 emra kandidatësh), procedurën e vlerësimit të cilësive etiko morale të 51 (pesëdhjetë e një), kandidatëve për t’u zgjedhur si anëtarë në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe anëtarë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, nga radhët e Avokatisë, nga radhët e shoqërisë civile, nga radhët e pedagogëve të fakulteteve juridike dhe shkollës së Magjistraturës, (ku për 4 prej kandidatë figuronin të kishte materiale të krijuara nga struktura të ish-sigurimit të shtetit, sipas nenit 29 pika 2 germa c, të ligjit 45/2017, “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
Përgjigje pyetjes së tretë”, konfirmon Autoriteti për Shqiptarja.com.
Kontrolli i listave
Autoriteti për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit ka verifikuar edhe listat e kandidatëve për deputetë. “Për vitin 2017, janë zhvilluar procedurat ligjore për 2 (dy) kërkesa, të paraqitura nga subjektet zgjedhore, të regjistruara në KQZ, për zgjedhjet për deputet në Kuvend, datë 25 qershor 2017, respektivisht nga Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (144 numri i kandidatëve për tu verifikuar) dhe Aleanca Popullore për Drejtësi (141 numri i kandidatëve për tu verifikuar), në lidhje me ekzistencën për kandidatët për deputet të të informacioneve në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, për qëllime të transparencës së figurës së tyre, gjatë fushatës elektorale”, sqaron Autoriteti.
Agjentët e UDB objekt i punës së komisionit
Roli i shërbimeve të huaja gjatë regjimit komunist, kryesisht të UDB së ish-Jugosllavisë, KGB dhe CIA-s, do të jenë në fokusin e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, gjatë vitit 2018 dhe në vijim, për efekte studimore dhe në kuadër të edukimit qytetar. Në planin e punës së Autoritetit, i njohur ndryshe si komisioni për hapjen e dosjeve, do të jetë aktiviteti i shërbimeve të huaja në vend, aktivitet i cili do të qartësohet dhe do të marrë trajtë të plotë duke hapur dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit për këtë çështje si dhe duke bashkëpunuar me institucione ndërkombëtare, Drejtorinë e Arkivave dhe me studiues historikë.
Burime nga Autoriteti sqaruan se, ndriçimi dhe studimi i veprimtarisë së shërbimeve të huaja në Shqipëri, përfshin edhe bashkëpunëtorët e tyre në vend, numrin dhe profilet e tyre, ndonëse të dhënat nuk do të ndahen me publikun. Në këtë kuadër, në fokus të komisionit do të jetë edhe hapja e dosjes të të ashtuquajturit “grupi i çamëve”, i njohur si një nga proceset më të bujshme dhe të pamëshirshme të ish-Sigurimit të Shtetit. Grupi akuzohej se ishte vënë në shërbim të agjenturave të huaja.
Që pas rënies së regjimit komunist, çështja e agjentëve të shërbimeve të juaja, ka trazuar herë pas here segmente të politikës shqiptare. Sipas disa dokumenteve të deklasifikuara së fundmi të CIA, UDB jugosllave ka mundur që të rekrutojë qindra bashkëpunëtorë shqiptarë. Ndërkaq, edhe eksperti i shërbimeve sekrete Luan Pobrati, i cili punuar për shumë vite në Sigurimin e Shtetit, ka pohuar se UDB kishte spiunë në Shqipëri. Ndërsa ish-kreu i Shërbimit të Zbulimit Hasan Luçi, ka pohuar se UDB ishte ulur këmbëkryq në mes të regjimit komunist.
Edhe ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi ka folur për dosjet e ish-bashkëpunëtorëve të agjenturave të huaja në vend si dhe për zhdukjen e tyre. Po ashtu, kohë më parë, deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha se ka qenë agjent i UDB. Balla nxori edhe një dokument në gjuhën serbe, me pretendimin se vërtetonte akuzën e tij. Gjithsesi, deri më sot, nga dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, nuk kanë dalë dokumente në media për këtë çështje.