Burime nga strukturat e sigurisë për RTV Dukagjinin kanë thënë se dy rusë dhe një bellorus kanë provuar të futen në Kosovë e me vete kanë pasur pajisje të dyshimta.
Drejtuesi i “Debat Plus”, Ermal Panduri thotë se dy nga ta janë ndaluar nga policia e Kosovës derisa i treti ka mundur të infiltrohet në Kosovë bashkë me serbët tjerë.
“Dy rusë dhe një bjellorus në orët e pasditës së sotme kanë provuar të hyjnë në Kosovë, të cilët me vete kanë pasur çanta me pajisje të dyshimta. Dy nga ta janë ndaluar nga Policia e Kosovës gjersa njëri nga ta ka vazhduar “vizitat” te protestuesit serbë”, ka njoftuar Panduri.
Shtetasi rus Oleg Derkach ka hyrë, kurse Sergei Belous dhe shtetasi bjellorus Denis Bolshakov, janë kthyer në pikën kufitare në Jarinje për shkak të dyshimeve që kanë pasur autoritetet.
Që të tre kanë qenë të pajisur me çanta, të cilat, sipas të dhënave të siguruara, kanë përmbajtur teknikë kibernetike. Sipas të dhënave të mëhershme, Sergei Belous, është ndaluar në Kosovë dhe Shqipëri për aktivitete të dyshimta spiunazhi. Në vitin 2017, edhe Republika e Shqipërisë e kishte kapur Sergei Belousin, siç thuhet të maskuar si gazetar, në bazën e Pashalimanit në Vlorë.
Shërbimi i policisë ushtarake shqiptare i kishte ndjekur rusët, dhe së bashku me policinë shqiptare kishin arritur t’i ndalonin në Fier. Belous, ka qenë i arrestuar edhe gjatë konfliktit në Ukrianë.
Ai ka lidhje të mira me radikalët serbë dhe me përfaqësues të ekstremit të djathtë evropian, të cilët veprojnë në Serbi.
Gjersa, dy të tjerët kanë vazhduar “shëtitjen” nëpër tendat e protesuesve serbë, duke u paraqitur si gazetarë, mirëpo në çantat e tyre, burimet kanë thënë se ka pasur materiale të dyshimta./Telegrafi/