Zbulohet një skemë e përhapur prostitucioni ndër vite, nga bosët e krimit në burgjet shqiptare.
Duke shfrytëzuar një të drejtë që ia njeh ligji atë të një takimi special 5 orës njëherë në muaj me bashkëshortet, partneret ose bashkëjetueset, të burgorit VIP kanë mundur të përfitojnë shërbimet e prostitutave në burgjet shqiptare.
Një burim nga departamenti juridik në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve i shpjegoi Top-Channel se si funksiononte kjo skemë. Ligji tha ky burim ia njeh të drejtën të burgosurve të zhvillojnë takime speciale edhe me ato që konsiderohen si bashkëjetuese.
Prostitutat futeshin në burgje duke u shtirur si partnere apo bashkëjetuese. Për të treguar se ato ishin partnere të personave në qeli, mjafronte të paraqisnin një vërtetim të noterizuar që kushtonte 3.000 lekë përmes të cilit ato deklaronin se ishin partnere ose bashkëjetuese.
Deri më sot kaq mjafonte për një femër për të dëshmuar se ishte bashkëjetuese e një të burgosuri. Por në fakt sipas ligjit për të dëshmuar se je bashkëjetuese e dikujt duhen të paraqiten një mori me prova.
Neni 163 Kodit të familjes thotë se “Personat bashkëjetues mund te lidhin marrëveshje para noterit, ku përcaktojnë pasojat qe rrjedhin nga bashkëjetesa”. Provat mund të jenë foto, video të festimeve familjare, llogari bankare të përbashkëta, dokumente bashkëpronësie etj.
Pikërisht këto prova për të vërtetuar statusin e bashkëjetueses, nuk janë kërkuar asnjëherë në burgjet shqiptare, duke i hapur dritën jeshile futjes së prostitutave, nëpër burgjet shqiptare.
Top-Channel ka parë një urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Agim Ismaili ku u kërkohet të gjithë zyrave juridike në burgje të mos mjaftohen me një vërtetim të noterizuar.
Urdhëri kërkon që të zbatohen kërkesat e Kodit të Familjes se kush quhet bashkëjetues.