Gjendja shëndetësore e kryetarit të Preshevës, Shqiprim Arifi sot ka nis të përmirësohet. Lajmin e dha zëdhënësi i komunës Mendurim Presheva.
Presheva ka dhënë detaje për shëndetin e Arifit i cili prej një jave ishte në vetizolim pavarësisht se dy herë kishte rezultuar negativ në Covid-19.
“Gjendja për momentin është stabile dhe në krahasim me ditën e djeshme që ka pasur një përkeqësim të shëndetit, ishte në gjendje pak të rëndë që ka qenë edhe shqetësuese për të gjithë ne. Kryetari për momentin është në gjendje pak më të mirë dhe shpresojmë që shëndeti i tij po shkon duke u përmirësuar”, tha Presheva për RTV Dukagjini.
“Prej ditës së parë kur ka pasur simptome, diku para një jave, kryetari e ka ndalur ardhjen në komunë dhe kemi komuniku përmes telefonit pasi ai nuk ka qenë në komunë. U paraqit fillimisht në Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë. Ka bërë testet dy herë por kanë dalë negativ”, tha Presheva.
“Ditën e djeshme iu ka përkeqësu gjendja shëndetësore dhe ai tani në spitalin e Nishit po merr trajtim”, theksoi ai.
Presheva u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes dhe të mbajnë maskën, distancën dhe higjenën personale.