Presidenti francez Emmanuel Macron mirëpriti presidentin e sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump në rezidencën e tij në Paris, Pallatin Elysee.
Atyre iu bashkua në minutën e fundit edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, përpara se të merrnin pjesë në rihapjen e katedrales Notre Dame, shkruajnë mediat e huaja.
Presidenti i ardhshëm i SHBA-së, Trump, me këtë, po bënte udhëtimin e tij të parë jashtë shtetit që nga fitimi i zgjedhjeve muajin e kaluar.
Udhëheqësi francez i bëri një ftesë Trumpit për t’u përfshirë në bisedimet e planifikuara dypalëshe përpara inaugurimit presidencial të SHBA-së muajin e ardhshëm.
Ata dy thuhet se zhvilluan një takim 90-minutësh me dyer të mbyllura.
Zelensky mbërriti më vonë dhe u prit gjithashtu nga Macron në pallatin presidencial. Pas një përqafimi të ngrohtë dhe pozimit për foto, presidenti francez e shoqëroi Zelenskyin brenda ku ai iu bashkua takimit me Trump dhe foli për pushtimin e vazhdueshëm rus të Ukrainës.
Duke folur për mediat teksa po dilte nga Pallati Elysee, Zelenskyy tha se takimi me homologun e tij francez dhe Trump ishte “konstruktiv”.
Në një postim në kanalin e tij zyrtar Telegram, udhëheqësi ukrainas lavdëroi presidentin e zgjedhur të SHBA-së, duke e falënderuar atë për “vendosmërinë si gjithmonë”.
Ai vazhdoi duke thënë se i shpjegoi situatën në terren Trumpit dhe theksoi dëshirën e tij për t’i dhënë fund luftës në vendin e tij sa më shpejt dhe sa më drejtë të jetë e mundur, duke vënë në dukje dëshirën e Ukrainës për të arritur një “paqe të drejtë”.
Zelensky gjithashtu falënderoi Macron për mikpritjen e ngrohtë dhe organizimin e takimit në Paris dhe u zotua të vazhdojë të punojë me aleatët perëndimorë të Ukrainës në javët në vijim.
Donald Trump nuk e ka komentuar publikisht takimin në platformat e tij në rrjetet sociale dhe as nuk ka pasur ndonjë deklaratë nga Presidenca franceze pas bisedimeve trepalëshe.