Zgjedhjet presidenciale të 2024-ës në SHBA dallohen për shkak të pasigurisë së madhe për rezultatin e tyre, por edhe shqetësimit për atë që do të vijë pas 5 nëntorit: do të ketë një betejë të gjatë ligjore, demonstrata ose mospranim rezultati?
Përgjigja e këtyre pyetjeve varet në një masë të madhe nga aftësia e dy kandidatëve për të pranuar humbjen e tyre pas një gare.
78-vjeçari republikan vazhdon të thotë se e vetmja mundësi që mund të humbasë ndaj Kamala Harris është nëse zgjedhjet presidenciale manipulohen.
Dy në tre amerikanë kanë frikë se dhuna do të shpërthejë pas zgjedhjeve të 5 nëntorit, sipas një sondazhi të Ipsos të publikuar më 24 tetor.
Dy kandidatët akuzojnë njëri-tjetrin për nxitje të tensionit. Harris akuzon Trumpin se është “fashist”. Miliarderi ia atribuoi tentativën me vdekje retorikës së kandidates demokrate, duke vlerësuar se ajo është përgjegjëse për një “pellg gjaku” në SHBA.
Në Uashington, autoritetet janë duke u përgatitur për të paktën një vit për një periudhë jashtëzakonisht të ndjeshme pas zgjedhjeve dhe deri më 20 janar 2025, ditën kur presidenti i ri do të betohet.
Tashmë kangjellat metalike janë ngritur pranë Shtëpisë së Bardhë, ndërsa së shpejti do të vendosen rreth Kongresit.
Përveç kësaj, numri i anëtarëve të Policisë së Kapitolit është rritur ndjeshëm, duke arritur në 2100, rreth 300 më shumë se në 6 janar 2021, kur mbështetësit e Trump sulmuan Kongresin.
Më 6 janar 2025, ditë vendimtare kur do të ratifikohet rezultati i zgjedhjeve, masat e sigurisë do të jenë po aq të forta sa në ditën e inaugurimit të presidentit të ri.