Një vatër e madhe zjarri është përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe të gjerë pyjore mes fshatrave Gjinoqare, Drenie dhe Lofkënd, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme mjedisore dhe vështirësi të mëdha për ekipet ndërhyrëse.
Flakët, të ndihmuara nga qilimi halor shumëvjeçar, shkurret e dendura dhe terreni i thepisur, kanë shkaktuar edhe shpërthime të befta, duke rrezikuar sigurinë e forcave zjarrfikëse në terren.
Në vendngjarje ndodhen forcat ushtarake të repartit të Poshnjes, si dhe efektivë zjarrfikës nga Mallakastra dhe Patosi, të cilët po punojnë për izolimin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit.
Sipas raportimeve të para, rreth 5 hektarë pyll dhe shkurre janë djegur që nga pasditja e djeshme, ndërsa rreziku për përhapje të mëtejshme mbetet i lartë për shkak të erës dhe temperaturave të larta.
Autoritetet lokale dhe emergjencat civile po monitorojnë situatën dhe kanë bërë thirrje për kujdes maksimal, ndërsa hetimet për shkakun e rënies së zjarrit janë ende në fazë fillestare.


