Zjarre masive në Spanjë ende pa ardhur Vera

Digjen 4 mijë hektarë pyje në Valencia. Ndikim, ngrohja globale

Këtë vit, zjarret masive në pyjet e Spanjës nisën që pa ardhur stina e thatë e Verës.

Një vatër masive e shpërthyer pak ditë më parë në rajonin e Valencias shkrumboi mbi 4 mijë hektarë pyje dhe bimësi në këtë zonë, duke detyruar më shumë se 1500 banorë të braktisin shtëpitë e tyre.

Autoritetet njoftuan këtë të shtunë se me ndërhyrjen e 500 trupave të zjarrfikësve, të cilëve u erdhën në ndihmë 20 avionë dhe helikopterë, u arrit që vatra e madhe të vihej nën kontroll, duke ndaluar përparimin e mëtejshëm. Erërat e forta ishin faktori kryesor që ndihmuan në përhapjen e shpejtë të flakëve.

Studimet tregojnë se ngrohja globale bëri që dimri që kaloi të ishte i thatë në mënyrë të pazakontë në shumë rajone të jugut të Europës.

Nisja më herët se sezonet e kaluara të vatrave të zjarrit ngjall frikën e ripërsëritjes së katastrofës së vitit të kaluar kur gjatë verës u dogj dyfishi i mesatares së hektarëve që digjen çdo vit.

Leave a Reply