Zjarret godasin Mesdheun, probleme në Greqi dhe në jugun e Italisë

Vendet në Europë po përballen ditët e fundit me zjarre të mëdha që kanë shndërruar në hi dhjetëra mijëra hektarë tokë.

Në Itali temperaturat e larta kanë shkaktuar shumë vatra zjarri. Zona më e prekur është Fossa Creta ku dhjetëra qytetarë janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre. Flakët  shkatërruan edhe plazhin Le Capannine, ndërsa zjarrfikësit po punojnë për të vënë nën kontroll zjarrin.

Njëqind e pesëdhjetë njerëz të bllokuar nga zjarret në dy zona detare të Catania u shpëtuan nga automjetet detare dhe personeli i Zyrës së Portit, pasi për të shpëtuar nga flakët, ata ishin drejtuar bregdetit.

Edhe Greqia po përballet me vatra të shumta zjarri. Sipas autoriteteve, edhe pse  situata këtë shtunë paraqitet të jetë më e qëndrueshme forcat e zjarrfikësve nuk kanë arritur ende ta vënë nën kontroll. Shkaku kryesor për shpërthimin e zjarrit  mbeten temperaturat e larta dhe erërat e forta.

Ndërkohë në Turqi situata po shkon drejt normalizimit. Nga 98 vatra që kanë qenë aktive gjatë ditëve të fundit aktualisht janë vetë 10 vatra.  Zjarret shkaktuan 4 viktima dhe dhjetëra të plagosur.

 

Leave a Reply