Policia e ka cilësuar si “akt të qëllimtë” shpërthimin në një automjet në mëngjesin e Krishtlindjes në qendër të Neshvillit. Sipas zjarrfikësve, tre vetë u dërguan në spital, asnjë prej tyre me lëndime të rënda.
Sipas autoriteteve, një regjistrim me një paralajmërim rrënqethës dëgjohej nga automjeti para se të shpërthente.
“Zona duhet të evakuohet tani. Zona duhet të evakuohet tani. Nëse dëgjoni këtë mesazh, largohuni nga zona. Nëse dëgjoni këtë mesazh, largohuni nga zona,” thoshte mesazhi i cili u dëgjua për disa minuta para shpërthimit.
Policia e përshkruan automjetin e parkuar në qendër të qytetit si rulot.
Sipas policisë, mesazhi paralajmërues deklaronte se “bomba do të shpërthejë pas 15 minutash”
Në ato momente policia mori një telefonatë se kishte pasur “të shtëna” në zonën turistike në qendër të qytetit në orën 6 të mëngjesit. Sipas njoftimeve, policët panë në zonë automjetin, tha më herët zëdhënësi i policisë Don Aaron.
“Rrethana në lidhje me automjetin bënë që policia të sillte skuadrën e çaktivizimit të bombave,” tha zoti Aaron. Skuadra nuk kishte mbërritur ende kur ndodhi shpërthimi.
“Besojmë se shpërthimi ishte akt i qëllimtë,” tha ai, duke shtuar se policia lokale po bashkëpunon me autoritetet federale, përfshirë FBI-në dhe Byronë e Alkoolit, Armëve të Zjarrit dhe Lëndëve Plasëse.
Andrew McCabe, ish-zëvendës drejtor i FBI-së, tha në komente për rrjetin mediatic CNN, se policët mund të kenë qenë në shenjestër të sulmit bazuar në faktin se erdhën në zonë pas telefonatës për një automjet të dyshimtë, pak para se automjeti të hidhej në erë. Ai tha se një shpërthim me përmasa kaq të mëdha ka gjasa të hetohet si akt terrorizmi i brendshëm apo i jashtëm.
Pak sekonda para shpërthimit, policët po shkonin derë më derë në ndërtesat përreth për të ndihmuar banorët të largoheshin nga zona për t’i nxjerrë jashtë rrezikut të mundshëm.
Policia thotë se aktualisht nuk e di nëse brenda automjetit kishte njerëz në momentin e shpërthimit.
Shpërthimi që u ndje nëntë rrugë më tutje, rrëzoi një polic dhe i shkaktoi humbje dëgjimi që besohet se është e përkohshme, tha zëdhënësi. Banorët njoftuan se kishin parë disa makina që ishin përfshirë nga flakët në rrënojat e shkaktuar nga shpërthimi.
Pjesa më e madhe e ndërtesave të zonës ishin të mbyllura, si rezultat i festës. Nashvilli është kryeqyteti i shtetit Tenesi dhe qendra amerikane e muzikës kantri.
“Kudo shihen pemë të shkulura”, tha banori i këtij qyteti Buck McCoy për rrjetin CNN.
Shpërthimi shkatërroi disa automjete dhe dëmtoi një numër ndërtesash, duke shkaktuar një re tymi të zi mbi zonë, të dukshme nga një distancë prej disa kilometrash.
“Nuk kemi informata për komplote të tjera”, tha zëdhënësi.
Kryebashkiaku i Neshvillit, John Cooper u bëri thirrje njerëzve të mos afrohen në zonë, ndërkohë që vazhdojnë hetimet. Autoritetet kanë sjellë qen që nuhasin për bomba si dhe po kontrollojnë xhirimet e kamerave të sigurisë në zonë. Presidenti Donald Trump u informua për shpërthimin, tha një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.