Trupi i gazetarit të zhdukur saudit, Jamal Khashoggi, është prerë copë-copë, pasi ai është vrarë dy javë më parë, në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll.
Kështu i ka thënë një zyrtar turk, në kushte anonimiteti, televizionit CNN, të martën.
Ky pohim, i cili për herë të parë është bërë në gazetën The New York Times, gjatë fazës së hershme të hetimeve, vjen pasi zyrtarët turq kanë kontrolluar konsullatën për nëntë orë në natën e së hënës.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë më herët, të martën, se hetuesit turq po shqyrtojnë një material “toksik” si pjesë e hetimit të tyre.
Zyrtarët turq kanë thënë privatisht se Khashoggi është vrarë brenda konsullatës, më 2 tetor, pasi kishte shkuar për t’i marrë disa dokumente që do t’i mundësonin atij të martohej me të fejuarën e tij turke.