1.5 milionë njerëz pa energji elektrike në Ukrainë

Dronët rusë shkatërrojnë rrjetin e energjisë në Odesa

1.5 milionë njerëz në Odesa të Ukrainës janë në errësirë, pas shkatërrimit të rrjetit elektrik nga dronët rusë. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës tha se dy objekte energjetike në rajonin e Odesa u goditën nga dronët Shahed-136. Ndonëse ishin nisur 15 dronë, 10 prej tyre raportohet se janë rrëzuar.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyi, gjatë një komunikimi publik e ka konsideruar situatën të vështirë dhe sipas tij, vetëm koha nuk mjafton për të rivendosur energjinë elektrike.

Për këtë arsye, Norvegjia po ndihmon me 100 milionë Dollarë për rivendosjen e sistemit.

Ndërsa zëdhënësi i Administratës Rajonale të Odesës tha se restaurimi i plotë i rrjeteve mund të zgjasë deri në tre muaj. Që prej Tetorit, Moska ka shënjestruar infrastrukturën energjetike të Ukrainës me valë të mëdha sulmesh me raketa dhe dron.

Sipas zyrtarëve ukrainas, ky sulm ndaj tyre po bëhet me ndihmë të Teheranit i cili po furnizon me dronë Moskën.

Ndërkohë, Britania e Madhe një ditë më parë tha se mbështetja ushtarake e Iranit për Rusinë ka të ngjarë të rritet në muajt e ardhshëm, duke përfshirë dërgesat e mundshme të raketave balistike.

Leave a Reply