Numri i të prekurve nga koronavirusi në gjithë globin, që prej nisjes së përhapjes Dhjetorin e vitit të kaluar, kalon 1 milionë. Aktualisht numërohen mbi 50 mijë të vdekur, ndërsa afro 20% e totalit të të prekurve deri më sot janë shëruar.
Ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë thanë se pandemia vijon të ketë ritme tepër të shpejta përhapjeje, shumë herë më të larta se ritmet e të kuruarve. Spanja shënoi një tjetër rekord ditor prej 950 viktimash brenda 24 orëve të fundit.
Numri total i të vdekurve arriti në mbi 10 mijë dhe mbi 110 mijë numërohen aktualisht të infektuarit. Koronavirusi ka dhënë efektet e para negative në ekonominë e këtij vendi. Gjatë Marsit, mbi 900 mijë persona humbën vendet e punës nga mbyllja e bizneseve, një shifër tepër e lartë teksa vendi ka nivelin më të lartë të të papunëve në Eurozonë mbi 13%.
Ndërsa në Shtetet e Bashkuara nuk ndalen parashikimet e frikshme. Guvernatori i Neë York paralajmëroi se 4/5-at e infektuarve e që kanë nevojë për intubim në sallat e terapive intensive do të ndërrojnë jetë. Jeta u rrezikohet të paktën 16 mijë njujorkezë. Aktualisht New York numëron mbi 1300 të vdekur, 25% e totalit në të gjithë Shteteve të Bashkuara ka mbi 201 mijë raste aktive infektimi, gati gjysma e të cilave në New York.
Presidenti i Filipineve Rodrigo Duterte bëri sërish bujë edhe në mesin e kësaj pandemie me urdhërat e tij. Kush nuk respekton rregullin e ndalimit të daljes nga shtëpitë që qëllohet me armë për vdekje nga forcat e rendit, ishte urdhëri i tij, që të kujton atë të pak viteve më parë kur nisi fushatën përgjakshme të vrasjeve të konsumatorëve dhe tregtarëve të lëndëve narkotike. Filipinet numërojnë 107 të vdekur dhe mbi 2600 të infektuar.