Shënohen 14480 humbje jete në 24 orë
Më shumë se 10 persona çdo minutë humbën jetën nga koronavirusi në mbarë botën në 24 orët e fundit, teksa u shënuan 14,480 viktima. Situata më e vështirë paraqitet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat vijojnë të përballen me një numër të lartë të vdekjeve ditore si pasojë e pandemisë së Covid-19. Autoritetet shëndetësore amerikane raportuan për afro 3500 viktima dhe mbi 126 mijë infektime ditore.
Meksika po ashtu është kthyer në ditët e fundit në një vatër të nxehtë të pandemisë. Sipas të dhënave zyrtare të autoriteteve shëndetësore, afro 1600 persona e humbën betejën me virusin në 24 orët e fundit.
Ndërkohë që Europa po përballet me situata të ndryshme sa I përket përhapjes së virusit. Kështu, Spanja dhe Franca shënuan një përkeqësim të situatës së infektimeve, teksa raportuan një rritje të ndjeshme të rasteve të reja.
Në Britaninë e Madhe numri i infektimeve ditore shënoi gjithashtu një rënie, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për jetët e humbura, ku u shënuan më shumë se 1 mijë viktima.
Me një situatë më të qetë po përballet Gjermania, ku edhe në këtë 24 orësh infektimet dhe vdekjet ditore shënuan sërish rënie.