Ceremonia e Pavarësisë në Sheshin e Flamurit në qytetin e Vlorës, mblodhi në qytetin bregdetar pak minuta pas orës 10:00 Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, Kryeministrin Edi Rama, zv.kryetaren e Kuvendit, Valentina Leskaj, kreun e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli dhe drejtues të tjerë të lartë të vendit.
Krerët e Shtetit vendosën kurora me lule në Monumentin e Pavarësisë në Sheshin e Flamurit dhe pasi përshëndetën qytetarët e grumbulluar në shesh, vijuan me agjendën e festimeve.
Ndërkohë, thuajse në të njëjtën orë, në Tiranë drejtuesit më të lartë të opozitës i qëndruan traditës së vendosur prej tyre duke përkujtuar më 28 Nëntor Pavarësinë dhe Çlirimin.
Kryetari i PD-së Lulzim Basha, ish-kryeministri Berisha dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Partisë Demokratike nderuan dëshmorët duke vendosur kurora me lule dhe përulur para tyre.