Gjatë pasdites së të dielës ka ardhur një reagim i përbashkët nga ambasadat e Francës, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së, në lidhje me ngjarjet e ditëve të fundit në Kosovë, ku thuhet se ngjarjet janë ndjekur nga afër dhe vlerësohen demonstratat paqësore.
“Jemi të kënaqur që demonstratat ishin paqësore dhe duam t’i përgëzojmë të gjithë pjesëmarrësit, e sidomos përfshirjen e Policisë së Kosovës. Ne besojmë në fuqinë e dialogut si mjet për të zgjidhur mosmarrëveshjet politike dhe inkurajojmë të gjitha palët t’i shfrytëzojnë mundësitë e ndryshme për dialog, duke përfshirë këtu edhe brenda Kuvendit”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Ambasadat në Prishtinë inkurajojnë të gjitha palët për të zgjidhur mosmarrëveshjet politike me anë të dialogut, përfshi edhe brenda Kuvendit.
“Jemi të përkushtuar në fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Ne besojmë që asnjëri nuk është mbi ligjin. Ne presim dhe kërkojmë që të gjitha procedurat të përcillen me përpikmëri, duke i shërbyer transparancës, e sidomos në rastet e ndjeshme politike dhe ne do të vazhdojmë të përcjellim nga afër rastet ku përfshihen anëtarët e Kuvendit. Ashtu siç është rasti në shtetet tona, presim që në demokracinë e barabartë për të gjithë edhe përfaqësuesit politik t’i nënshtrohen ligjit pa marrë parasysh cilës parti ata i takojnë”, përfundon deklarata e përbashkët e ambasadave në Prishtinë.